Kandidatja për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu është deklaruar pas dështimit të 22-të të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Ajo tha se LVV tashmë është e përcaktuar për sa i përket kandidatit për kryeparlamentar, transmeton Telegrafi.
“Nuk e di edhe sa herë duhet ta paraqesim qëndrimin e LVV-së. E kemi thënë në vazhdimësi se të drejtën për propozim të kryetarit të kuvendit e ka LVV. LVV është përcaktuar tashmë për këtë çështje. Ajo çfarë duhet është që deputetët të marrin pjesë në votim, të votojnë komisionin për votimin e fshehtë, çoftë për, kundër apo abstenim, por jo të vijnë në kuvend e të mos votojnë. Shtrohet pyetja se përse po vijnë?”, ka deklaruar ajo.
Për bashkëpunimin e mundshëm mes LVV-së dhe Nismës së Fatmir Limajt, Haxhiu tha se i shohin këta të fundit si partnerë.
Ndryshe, sot ka dështuar edhe seanca e 22-të për konstituimin e Kuvendit, ku PDK, LDK, AAK nuk propozuan anëtarët për Komisionin Zgjedhor, në mënyrë që të votohet në mënyrë të fshehtë për Albulena Haxhiun