Shkup, 2 qershor – Në një retorikë që tingëllon ndryshe nga diskursi tradicional burokratik i Bashkimit Evropian, Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, e ka përshkruar procesin e zgjerimit si një çështje të sigurisë evropiane dhe një domosdoshmëri për mbijetesën e vetë kontinentit. Kjo është më shumë sesa një deklaratë diplomatike një sinjal i qartë se mënyra se si Brukseli e sheh zgjerimin ka ndryshuar në thelb. Dhe, kjo natyrshëm që ngjallë shpresa për vendet që aspirojnë anëtarësimin në BE, siç është rasti edhe i vendit tonë, Maqedonisë së Veriut, shkruan Zhurnal.
Në këtë kontekst të ri a mund të shpresojë Maqedonia e Veriut për një përshpejtim real të procesit të anëtarësimit?
Deklarata e Kos-it vjen në një moment kritik për Ballkanin Perëndimor dhe për Maqedoninë e Veriut në veçanti, një vend që ka kaluar një udhëtim të gjatë dhe të mundimshëm drejt BE-së, shpeshherë duke përmbushur kërkesa të rënda dhe duke sakrifikuar në emër të integrimit. Nga ndryshimi i emrit të shtetit e deri te përpjekjet për reforma të brendshme, vendi ka treguar një përkushtim që shumë vende të tjera kandidate nuk e kanë demonstruar me të njëjtin intensitet. Dhe megjithatë, dera e BE-së ka qëndruar e hapur në letër, por e mbyllur në praktikë.
Kos e përshkruan këtë vonesë si një faj historik të Bashkimit Evropian. BE-ja, sipas saj, ka qenë shumë e përqendruar në vetvete dhe ka neglizhuar Ballkanin, Ukrainën e Moldavinë “pikë të verbëra” që tani përbëjnë një boshllëk gjeopolitik të rrezikshëm. Vetë fakti që një zyrtare e lartë evropiane e pranon këtë realitet është tregues i një vetëdije të re strategjike që mund të jetë në favor të vendeve kandidate.
Në këtë dritë, Maqedonia e Veriut shfaqet jo vetëm si një vend që kërkon anëtarësimin për përfitime ekonomike apo për afirmim ndërkombëtar, por si një element kritik i sigurisë evropiane. Zgjerimi nuk është më një luks apo një projekt idealist i BE-së, është një instrument gjeopolitik për të ruajtur ndikimin dhe stabilitetin në një kontinent të kërcënuar nga forca të jashtme dhe nga paqartësia e brendshme.
Për Maqedoninë e Veriut, ky është një moment për të rikonfirmuar orientimin e saj euroatlantik dhe për të artikuluar më fort kërkesën që BE-ja të mbajë premtimet. Më shumë se kurrë, vendi ka nevojë për një përkrahje të qartë dhe të prekshme jo vetëm deklarata, por hapa konkretë, data për fillimin e kapitujve, asistencë për zbatimin e reformave dhe zbutje të bllokadave bilaterale që e kanë penguar padrejtësisht.
Po ashtu, klasa politike në Maqedoninë e Veriut duhet ta kuptojë se momenti historik nuk toleron as mëdyshje dhe as populizma nacionaliste. Kjo është koha për konsensus të brendshëm dhe diplomaci të mençur. Nëse BE-ja po ndryshon qasjen e saj, vendet kandidate duhet të tregojnë se janë të gatshme ta kapin këtë valë dhe jo ta humbin si shumë të tjera në të kaluarën.
Në fund të fundit, pyetja nuk është më nëse do të zgjerohet BE-ja, por kush do të jetë pjesë e këtij zgjerimi në kohën kur politika e forcës dhe rivalitetet globale po përcaktojnë të ardhmen. Maqedonia e Veriut ka shansin të mos mbetet më në rreshtin e pritjes por kjo do të varet si nga vullneti i BE-së, ashtu edhe nga qartësia strategjike e vetë Shkupit.
Qeveria duhet në koordinim me BE-në të vazhdojë punët ku kanë ngelur –
Pas çdo gare është e rëndësishme që sa më parë të dihet dhe kuptohet arsyeja e garimit jo vetëm për të kënaq apo plotësuar egot e ndokujt por për të dëshmuar ndryshimin apo vazhdimin e rrugëtimit në drejtim të përmirësimit të gjendjes së qytetarëve. Prandaj, sa më parë duhet të vazhdohen punët aty ku kanë ngelur. Fushata e zgjedhjet përfunduan tani është koha që të dëshmohet që ky vend ka njerëz dhe kapacitet për t’i çuar proceset përpara drejt një jete më të mirë për të gjithë pa dallim
Sfidat në të cilat ka kalua vendi janë dëshmi që asgjë nuk është e pamundur ajo që duhet është vetëm vullneti pozitiv për të bërë ndryshim drastik në vendin ku mëse i nevojshëm është i ndryshimi. Nëse dikur ka qenë e pa imagjinueshme futja e vendit si anëtarë i Aleancës më të fortë ushtarake në botë, sot është realitet, nëse dikur ka qenë e pa besueshme që vendit mund t’i ndërrohet emri dhe të vazhdohet tutje procesi integrimit evropian, sot është realitet.
Nëse sot tingëllon çuditshëm që kjo qeveri në ardhje nuk do t’i bëjë ndryshimet kushtetuese, nesër do të jetë realitet. Ajo që nevojitet është mos krijimi i dramave pa nevojë që po u ndryshua kushtetuta shembet vendi. Jo, nuk ndodhë asgjë e keqe dhe e dëmshme për vendin ndodhë hapja e rrugës dhe vazhdimi i rrugëtimit drejt BE-së.
Me ndryshimin e Kushtetutës a do të hyjmë në BE? Sigurisht që jo, na presin akoma punë e reforma të shumta në shumë fusha të ndryshme por ajo që ndodhë sigurt është dëshmia që ky vend ka vullnet politik për tu bërë anëtarë i familjes së madhe evropiane. Pra, nuk mjaftojnë vetëm sondazhet apo deklaratat duhet edhe vepra konkrete. Çdo veprim i guximshëm sot është dëshmi dhe përpjekje për krijimin e një të ardhme të mirë nesër. Pra, politikanë vizionar janë ata që mendojnë e veprojnë për gjeneratat e ardhshme dhe jo sot për sot. E kjo është dëshmuar dhe do të dëshmohet padyshim edhe tutje se ka njerëz që brengosen për gjeneratat që vijnë, ka njerëz që synim kanë zhvillimin dhe progresin në gjitha fushat në tërësi. /Zhurnal.mk