Abdixhiku i shkruan Von der Leyenit, kërkon heqjen e masave ndaj Kosovës

nga L. M

Kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku ka kërkuar heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Republikës së Kosovës, duke i cilësuar ato si të pajustifikuara dhe të papërshtatshme me zhvillimet aktuale politike dhe institucionale në vend.

LDK përmes një komunikate ka bërë të ditur se kryetari i saj dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, i ka drejtuar një letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në të cilën ka kërkuar zyrtarisht heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës.

Sipas kreut të LDK-së, vazhdimi i këtyre masave po prodhon pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët e Kosovës dhe po dëmton funksionimin e institucioneve shtetërore. Kjo parti thekson se kriteri kryesor i vendosur nga Bashkimi Evropian, përkatësisht transferimi i pushtetit lokal në komunat veriore, tashmë është përmbushur.

“Këto masa kanë dëmtuar drejtpërdrejt Kosovën dhe qytetarët e saj, e jo politikanët. Si pasojë, një numër i konsiderueshëm projektesh zhvillimore dhe investimesh të rëndësishme kanë mbetur të bllokuara dhe të parealizuara, duke penguar zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e shërbimeve publike”, vlerëson LDK.

Në këtë kontekst, Lidhja Demokratike e Kosovës i bën thirrje Bashkimit Evropian që të marrë vendim për heqjen e plotë të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, në përputhje me parimet e drejtësisë, proporcionalitetit dhe partneritetit.

“Republika e Kosovës meriton trajtim të drejtë dhe mbështetje konkrete në rrugëtimin e saj evropian”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

https://www.facebook.com/share/p/16u4ZNyqHT

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More