Është dënuar me 5 vite burgim, agjenti i Shërbimit Sekret Serb (BIA), Aleksandar Vllajiq, i cili pranoi fajësinë për spiunazh dhe armëmbajtje pa leje.
Për spiunazh u dënua me 5 vjet burg derisa për armëmbajtje pa leje me 6 muaj burg që iu zëvendësuan me 1 mijë euro gjobë.
Aktgjykimi dënues është shpallur pak kohë pasi Vllajiq është deklaruar fajtor në seancën e shqyrtimit fillestar që është mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Ai do të qëndrojë në paraburgim derisa të bëhet i plotëfuqishëm aktgjykimi.
Sipas aktakuzës së ngritur më 22 maj 2025 nga Prokuroria Speciale, Vllajiq ka vepruar si bashkëpunëtor i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA), duke mbledhur informacione që rrezikonin rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.