Brus, 9 shkurt – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka vizituar sot Nënë Stane Pjetër Gashin në Peshter të Brusit, një nga figurat e njohura për kontributin dhe mbështetjen e saj ndaj luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës.
Nëna Stane, e njohur si “Nëna e UÇK-së”, gjatë viteve të luftës ka pritur dhe përcjellë qindra luftëtarë, duke u siguruar ushqim, duke u pastruar plagët dhe rrobat, ndërsa shtëpia e saj shërbeu si një nga bazat e rëndësishme të luftës çlirimtare.
Gjatë vizitës, Ahmeti u prit nga Nënë Stane së bashku me djemtë e saj, ish-ushtarët e UÇK-së Filip dhe Fatmir Gashi, si dhe vajza e saj File Gashi, në një atmosferë të ngrohtë dhe me mikpritjen tradicionale shqiptare.
Ahmeti theksoi se për të ishte një nder i veçantë të vizitonte këtë shtëpi historike dhe të takonte Nënë Stanen, e cila edhe sot, në moshën 80-vjeçare, vazhdon të qëndrojë e fortë. Ai i uroi shëndet, jetë të gjatë dhe lumturi, të rrethuar nga familja dhe pasardhësit.
Si shenjë respekti, Nënë Stane i dhuroi Ahmetit librin “Nëna e mbi treqind luftëtarëve” të shkrimtarit Ibrahim Kadriu, një kujtim që ai e cilësoi ndër më të çmuarit në jetën e tij.
Vizita u përshkrua si një moment emocional, në një shtëpi që mbetet simbol i sakrificës, mikpritjes dhe historisë së luftës çlirimtare, ku dikur janë ushqyer dhe strehuar shumë luftëtarë dhe komandantë të UÇK-së.