Shkup, 21 qershor – Në lidhje me disa raportime të fundit në media dhe në rrjete sociale, që pretendojnë se partia AlterNATIVA është duke u larguar nga koalicioni opozitar VLEN, AlterNativa për Zhurnal sqaron se këto lajme janë krejtësisht të pavërteta, të pabazuara dhe kanë karakter shpifës.
“Partia AlterNativa e konsideron koalicionin VLEN si një bashkëpunim strategjik dhe të domosdoshëm për përfaqësimin dinjitoz të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe është e përkushtuar për të vazhduar rrugëtimin e përbashkët në këtë drejtim. Çdo tentativë për të përhapur lajme të rreme për prishje apo përçarje brenda koalicionit, vjen nga qarqe të cilat ndihen të kërcënuara nga forca dhe uniteti i opozitës shqiptare”, theksojnë për Zhurnal nga AlterNativa.
Sipas tyre, qëllimi i këtyre shpifjeve është i qartë: të krijohet konfuzion dhe të minohet besimi i qytetarëve ndaj këtij bashkimi të rëndësishëm politik që synon ndryshimin dhe reformimin e skenës politike shqiptare në vend. U bëjmë thirrje qytetarëve, simpatizantëve dhe përkrahësve të mos bien pre e dezinformatave dhe të ndjekin kanalet zyrtare të komunikimit për çdo informacion të saktë.
AlterNativa thekson se koalicioni VLEN është më i bashkuar se kurrë dhe së bashku do të vazhdojmë të punojmë për një të ardhme më të mirë, drejtësinë sociale, barazinë dhe integrimin e plotë të shqiptarëve në institucionet shtetërore.
Në emër të transparencës dhe respektit për opinionin publik, theksojmë edhe një herë se çdo informacion për braktisje të AlterNATIVËS nga VLEN është një shpifje e qëllimshme dhe nuk pasqyron realitetin politik, shkruan Zhurnal.mk