Komuna e Prizrenit ka anuluar aktivitetin e prokurimit për realizimin e vizitës së kuvendarëve në Republikën e Turqisë.
Në njoftimin për anulim, organet komunale si arsyetim kanë cekur dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik si dhe vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit lidhur me këtë aktivitet, raporton Telegrafi.
OShP-ja në fund të javës së shkuar përmes një vendimi ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e një operatori ekonomik të parashtruar për këtë aktivitet të prokurimit, dhe njëherësh ka lejuar autoritetin kontraktues që të vazhdojë me procedurën.
Shefi i Zyrës së Prokurimit në Komunën e Prizrenit, Isa Osmankaj ka sqaruar se ky aktivitet i prokurimit është anuluar për shkak se nuk ka pas oferta të përgjegjshme, dhe se lidhur me këtë çështje është adresuar një ankesë në OShP.
Në tenderin e shpallur muaj më parë nga Komuna e Prizrenit, parashihej realizimi i një vizite pune me qëndrim 5 ditor për 41 anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit si dhe 4 punëtorëve të Komunës për në Republikën e Turqisë.
Vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 27 mijë euro, raporton Telegrafi.
“Do të organizohet vizitë pune katër ditë në Turqi dhe një ditë në Selanik të Greqisë”, thuhej në njoftimin për kontratë.