Arrestimi i gazetarit Saliu, reagojnë partitë politike

nga Redaksia

Shkup, 7 prill – Arrestimi i gazetarit Furkan Saliu nga pjesëtarët e njësive policore, reagojnë partitë politike duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij.

Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti

“Liria e shprehjes është e drejtë e pakontestueshme dhe asnjë gazetar nuk duhet të pengohet në punën dhe misionin e tij profesional për të njohur publikun me të vërtetën.
Kërkojmë urgjentisht lirimin e gazetarit Furkan Saliu, ndërsa arrestimin e tij e konsiderojmë si sulm brutal ndaj fjalës së lirë dhe pengim i gazetarisë hulumtuese.
Gjithçka mund të ndalni, po ama fjalën e lirë kurrë”, ka shkruar Mexhiti.

Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami

“Të arrestohet gazetari sepse po bënte punën e tij, kjo qenka liria e fjalës në vendin tonë. Jemi me Furkanin dhe me çdo gazetar tjetër që i shërben të vërtetës dhe publikut!
Kërkojmë nga institucionet kompetente të ndërmarrin të gjitha masat për rastin në fjalë. Pyesim publikisht kryeministrin teknik se pse nuk reagon për sulmin brutal ndaj fjalës së lirë?!”, ka shkruar Kasami.

Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi

“Arrestimi i gazetarit Furkan Saliu në mënyrë të dhunshme është shenjë e keqe për demokracinë, fjalën e lirë dhe median në përgjithësi.
Duke e dënuar këtë akt, kërkoj nga organet e drejtësisë që sa më shpejt ta zbardhin rastin dhe Furkani të lirohet.
Nuk ndalet liria e mendimit duke i arrestuar gazetarët”, ka shkruar Gashi.

Kandidati për President nga radhët e VLEN, Arben Taravari

“Dënoj arrestimin e gazetarit Furkan Saliu. Arrestimi i tij sipas të gjitha dëshmive është kryer në kushte të zbatimit të profesionit të tij. Duke kërkuar lirimin e gazetarit Furkan Saliu dhe zbardhjen sa më të shpejtë të rastit, kujtoj edhe një thënie të Lekë Dukagjinit: Lajmësi Nuk Ka Faj Për Lajmin Që Jep! Mos dënoni Lajmëtarin por Lajmin”.

Aleanca për Shqiptarët (ASH)

“Policia e VMRO-LEN arrestoi gazetarin, partnerët derdhin lotë krokodili.

Koalicioni VMRO-LEN po tregon dhëmbët edhe pse vetëm disa javë kanë pushtet mbi policinë. Suksesi më i madh i tyre është arrestimi i gazetarit, Furkan Saliu, në një kohë kur Ministri i Punëve të Brendshme është nga radhët e VMRO-së dhe zëvendësdrejtori i policisë, kuadër i Arben Taravarit. Ky i fundit në vend që të distancohet dhe kërkojë llogari nga kuadrot dhe partnerët e tij, zgjodhi të derdh lotë krokodili dhe të manipulojë me opinionin duke tentuar t’ua hedh fajin të tjerëve.

Ju bëjmë me dije se koha kur arrestoheshin gazetarët ka kaluar me rënien e VMRO-së dhe ajo më nuk do të kthehet asnjëherë. Është e dhimbshme vetëm tentativa e disa shqiptarëve për të amnistuar dhe për të ringjallur atë regjim duke i bërë avokatin me statuse tragji-komike”.

Partia Demokratike Shqiptare (PDSH)

”Partia Demokratike Shqiptare e dënon aktin e dhunës së njësive të policisë speciale ndaj gazetarëve dhe kameramanëve përcjellës të portalit X, sepse në këtë mënyrë goditet profesioni i shenjtë i gazetarisë si një ndër shyllat kryesore të demokracisë liberale. Kërkojmë urgjentisht ky ekip i gazetarëve të lirohet dhe njëkohësisht të meren masa ndaj atyre që urdhëruan këtë akt të shëmtuar kundër fjalës së lirë”.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More