Shkup, 9 tetor – Gjykata Kushtetuese sot në mbledhje solli vendim për shfuqizimin e “balancuesit” – mjetit për punësim sipas përkatësisë nacionale në institucionet shtetërore. Vendimi nuk do të vlejë në mënyrë retroaktive. Me këtë, Gjykata Kushtetuese konfirmoi vendimin e përkohshëm të datës 18 shtator, kur vlerësoi se me theksimin e përkatësisë së komunitetit që është i nevojshëm për plotësimin e çdo vendi të punës, kandidatëve për nëpunës administrativ u kufizohet qasja në çdo vend pune, përkatësisht nëse me “obligimin e kandidatëve për nëpunës administrativ në aplikimin për punësim ndërmjet të dhënave tjera personale të theksojnë edhe përkatësinë e komunitetit”, cenohet parimi i profesionalitetit dhe kompetencës dhe cenohet e drejta e garantuar e punës dhe zgjedhjes së lirë për punësim.
Ashtu siç pritej, vlerësimet dhe reagimet në këtë temë janë të ndara, me një kundërthënie të ashpër, shkruan Zhurnal.
Bashkimin Demokratik për Integrim, si parti më e madhe shqiptare në opozitë, madje ka vlerësuar se shfuqizimi i ligjit do sjellë pakënaqësi për qytetarët.
“Nuk e dimë si do të jetë vendimi i gjykatës dhe këtu nuk mund të jap koment për momenti por si do që të jetë nësë kjo shkon në favor të politikës së VMRO-së duke marrë parasysh premtimeët e tyre se do të vepronin në këtë drejtim mendoj që do të ngjallë pakënaqësi tek qytetarët”, deklaroi deputetja e kësaj partie, Arbana Pasholli, pak para se të bëhej publik vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
“Integristët” janë skeptikë se me shfuqizimin e “balancuesit” gjërat do të mund të përmirësohen me ndonjë mekanizëm tjetër, kurse skepticizëm shprehin edhe ndaj paralajmërimit se do të sillet një Ligj i posaçëm që do të rregullon këtë çështje.
“Ligji nuk egziston është akoma në ajër, dhe mendoj qe është shumë e papjekur dhe joserioze të bisedohet për një zgjidhje që nuk egziston akoma dhe të ndërpritet një zgjidhje që për momentin është një mekanizëm i cili ka funksionuar po normal që ka pasur edhe dobësitë e veta”, theksoi deputetja Pasholli.
Koordinatori i grupit parlamentar të VLEN Halil Snopçe thotë se pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese, do të propozojnë Ligj të ri, për pesë ose gjashtë javë.
“Draftin e kemi, është gati. Mundemi ta propozojmë edhe sot por duam të bëjmë debat publik me profesionistë dhe ekspertë për t’i pasur parasysh edhe vërejtjet e tyre, të mos bëjmë ndonjë ngatërresë sepse është ligj i ndjeshëm dhe të mos ketë gabime. D.m.th. qëllimi është të përfshihen ekspertët dhe më pas të bëjmë propozimin. Nuk duam të bëjmë fushatë politike me këtë gjë, por ta zgjidhim problemin”, tha Halil Snopçe, koordinator i grupit parlamentar të VLEN.
Edhe ministri për Transformim Dixhital, Stefan Andonov, tha shumë qartë se me apo pa balancues, qeveria do të mbetet e fokusuar tek përfaqësimi i drejtë në administratë sepse është një kategori kushtetuese. Madje madje, ai pret një marrëveshje në Qeveri që do të rezultojë në një zgjidhje që do të përmbajë përfaqësim të drejtë në ligj.
“Përgjegjësinë për këtë pjesë, mirë e thatë, e ka Ministria e Administrates Publike dhe shpresoj se në periudhën e ardhshme do të punohet për rregullimin juridik të vlerës themelore të Kushtetutës, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat për gjithë përkatësitë etnike në RMV. I rëndësishëm është ky parim themelor i Kushtetutës, duhet të respektohet por duhet të gjendet zgjidhje që ai parim themelor të mos jetë në përplasje ashtu siç ishte deri më tani me kualitetin dhe kompetencat dhe mashtrimin e sistemit që është shumë e rëndësishme. Shpresoj se në Ministrinë e Administratës Publike dhe do të ketë përgjigje për këto dilema dhe përmes debatit të arrijmë një zgjidhje ku të gjithë do të jenë të kënaqur. Detyra jonë ishte veglën digjitale ta kthejmë në baza ligjore, kurse gjithça më pas paraqet, të themi, fillimisht marrëveshje qeveritare e më pas pajtueshmëri edhe me qytetarët dhe deputetët në Kuvend”, ka deklaruar Andonov.
“Ish ministri i drejtësisë, njëherit nënkryetarë i Aleancës për Shqiptarët-krahu i Ziadin Selës, Krenar Lloga, ka reaguar pas vendimit të gjykatës kushtetuese për shfuqizimin e “balancuesit” duke e theksuar se As Sllobodan Millosheviq nuk mund të ëndërronte të marre vendime aq të mbrapshta.
“As Sllobodan Millosheviq nuk mund të ëndërronte të marre vendime aq të mbrapshta aq sa mund të bëjë përmes votimit margjinalizues Gjykata Kushtetuese e RMV-së. Rrëzoni dhe ligjin e gjuhës e bëhuni rehat, po pastaj? P.S. Niveli i përgjegjësisë së VLEN do të matet tani, ose me reaksion, ose me retorikë boshe”, ka reaguar Lloga.
Rikujtojmë se Kryeministri Hristijan Mickoski më herët tha se duhet vlerësuar vendimi Gjykatës Kushtetuese dhe të respektohet i njejti. Ndërkaq, shfuqizimi i “Balancuesit” ishte pjesë e programit zgjedhor të VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Por zëvendës kryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka garantuar se në marrëveshjen politike mes VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it, ky mekanizëm do të avancohet në ligj, shkruan Zhurnal.
“E para, në këtë periudhë, aty ku do të ketë punësime, do të ketë punësime edhe të shqiptarëve, ndërsa e dyta, nuk humbin shqiptarët me atë që hiqet Balancuesi, edhe pse Gjykata Kushtetuese nuk e ka gjetur momentin për këtë, nuk ka pritur deri në avancim, mirëpo shqiptarët do të fitojnë më tepër, sepse do të sjellim ligj për përfaqësim adekuat, i cili jo vetëm që do të garantojë përfaqësimin e shqiptarëve në administratën publike dhe shtetërore, por do të garantojë punësime jopartiake dhe kualitative”, ka theksuar më herët Mexhiti, duke dhënë sinjal të qartë se edhe pasi “balancuesi” të shpallet i “vdekur”, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat në vend do të mbijetojë, sepse është kategroi kushtetuese./Zhurnal