Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi sot projektligjin “Për Bankën Shqiptare të Zhvillimit”.
E pranishme gjatë diskutimit të pr/ligjit, ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, tha se “Banka e Zhvillimit vjen si një model që funksionon në Bashkimin Evropian, me synim kryesor nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit”.
Sipas saj, ky instrument i ri do të rrisë kreditimin, përmes lehtësimit të qasjes në financë të sektorëve të nënfinancuar të ekonomisë, kryesisht ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përfshirë mikrondërmarrjet dhe startup-et, si dhe mbështetjes së projekteve zhvillimore, që lidhen me përmirësimin dhe modernizimin e infrastrukturës fizike dhe digjitale, me fokus të veçantë tek investimet e gjelbra.
Ibrahimaj theksoi se, BSHZH ofron mundësi për përfshirjen në rrjetin financiar dhe bankar të pjesëve të popullatës ende të papërfshira, veçanërisht në zonat rurale pa mbulim bankar.
Sipasa saj, Shteti Shqiptar do të jetë aksionari kryesor dhe fillestar i BZH-së, me një pjesëmarrje minimale prej 51% të kapitalit, ndërsa lejohet përfshirja e institucioneve financiare ndërkombëtare dhe entiteteve të tjera të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave.
Po ashtu përcaktohet se kapitali fillestar i BZH-së do të jetë 10 miliardë lekë, i kontribuar nga Shteti Shqiptar dhe i shlyer brenda një afati 4-vjeçar, sipas rregullave të përcaktuara në statut.
Ibrahimaj tha se, BZH do të ketë të drejtë të hapë llogari bankare në Bankën e Shqipërisë, në Thesarin e Shtetit, si dhe në banka tregtare vendase ose ndërkombëtare, si dhe të angazhohet në aktivitete ndihmëse për përmbushjen e objektivave të saj.
“Një veçori është bashkëpunimi me Postën Shqiptare Sh.a., ose shoqëri të lidhura me të. Në këtë bashkëpunim, Posta Shqiptare ose entitetet e saj të lidhura do të luajnë rolin e ndërmjetësit midis BZH-së dhe publikut që dëshiron të përfitojë nga instrumentet financiare të lëshuara nga BZH, duke siguruar një qasje më të lehtë dhe efektive për qytetarët në rrethe”, theksoi Ibrahimaj.