Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar nga detyra kreun e Prokurorisë Lezhë, Erjon Shehaj. Trupi gjykues mori vendimin për Shehajn, i cili më parë kishte kaluar shkallën e parë të Vettingut, edhe pse Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi probleme me pasurinë dhe profesionalizimin. Komisioneri Publik ankimoi vendimin.
Në arsyetimet e KPA gjatë seancës së sotme ku edhe u mor vendimi theksohet se:
-Erjon Shehaj nuk ka kryer veprime hetimore për dosjet dhe ka cenuar garancitë proceduriale të personave.
-Lidhur me një nga çështjet trupi gjykues shprehet se nuk do të mbajë qëndrim, pasi çështja është për gjykim në Gjykatën e Lartë.
-Për 4 raste trupa gjykues vlerëson se janë konstatuar shkelje nga ana e subjektit të rivlerësimit.
-Në një nga procedimet Shehaj duhet të hiqte dorë pasi ishte në konflikt interesi. Përfshija e tij në këtë procedim ka shkaktuar pavlefshmëri të akteve të procesit penal.
Në seancë mungonte drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani. Po ashtu, i pranishëm nuk ishte as Shehaj i cili përfaqësohej nga avokati Julian Mërtiri.
***
Në seancën e 19 marsit drejtuesi i SPAK, Altin Dumani tanimë me kompetencat edhe të Komisionerit Publik, kërkoi shkarkimin e tij për shkelje të rënda profesionale. Dumani argumentoi se Shehaj kishte pasur mangësi serioze në ushtrimin e detyrës dhe se veprimet e tij kishin dëmtuar besueshmërinë e sistemit të drejtësisë, duke sjellë pasiguri dhe duke penguar hetimin e disa çështjeve të rëndësishme.
Dumani përmendi disa raste ku Shehaj kishte dështuar të ndiqte procedurat ligjore të parashikuara, duke e bërë të pamundur zhvillimin e hetimeve të thelluara dhe të plota. Sipas tij, prokurori Erjon Shehaj kishte marrë vendime të paarsyeshme për të pushuar hetimet, pa zbatuar kërkesat ligjore për mbledhjen e provave dhe pa shfrytëzuar mundësitë që ligji ofron për të bërë hetime të thelluara në disa çështje të mëdha.
Një nga shkeljet më të rënda të identifikuara nga Dumani ishte vendimi i Shehajt për të pushuar hetimin ndaj një individi të akuzuar për korrupsion të lartë, pa marrë parasysh faktet dhe provat që treguan se ky individ mund të kishte kryer vepra penale. Dumani theksoi se, në vend që të zhvillonte hetime të mëtejshme, Shehaj e kishte pushuar dosjen pa një analizë të detajuar të provave dhe rrethanave të çështjes.
Gjithashtu, Dumani solli në vëmendje disa denoncime të tjera që ishin bërë ndaj Shehajt, përfshirë rastet kur prokurori kishte lënë të pashfrytëzuara mundësitë për të kërkuar masat e sigurisë për individët që ishin në kërkim, duke i lënë ata të shëtisin lirisht, pavarësisht se ekzistonin prova të mjaftueshme për të kërkuar arrestimin e tyre. Kjo, sipas Dumanit, kishte krijuar një imazh të dobët të SPAK dhe kishte dëmtuar besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
Nga ana e tij, avokati i Shehajt, Julian Mërtiri, kundërshtoi të gjitha këto akuzat dhe theksoi se vendimet e prokurorit ishin marrë në përputhje me ligjin dhe praktikën e zakonshme ligjore.
Në përfundim të seancës, Dumani kërkoi që KPA të merrte në konsideratë dëmin e shkaktuar nga vendimet e prokurorit dhe të siguronte që drejtësia të jetë e paanshme dhe e drejtë.