Sot bëhen 26 vjet nga rënia heroike e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodra, i cili ka qenë pjesë e celulave të para të UÇK-së dhe pjesëmarrës i të gjitha luftërave në Drenicë dhe rrethinë.
Ilaz Ismajl Kodra u lind më 3 maj 1966 në lagjen Kodra të Prekazit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa tetëvjeçaren dhe shkollën e mesme, Gjimnazin, i ka kryer në Skenderaj. Pas kryerjes së shkollës së mesme, regjistrohet në Shkollën e Lartë Komerciale në Pejë. Shërbimin e detyrueshëm ushtarak e ka kryer në Slloveni, raporton KosovaPress.
Ndikimi atdhetar, që kishte ushtruar te rinia përparimtare dhe revolucionare e Prekazit e më gjerë, akti heroik dhe qëndresa e Tahir dhe Nebih Mehës, më 13 maj të vitit 1981, kundër policisë jugosllave, i kishte dhënë impulse idesë së vazhdimit pa kthim të rezistencës së armatosur kundër pushtuesit.
Ilaz Kodra mbante kontakte ilegaliteti me komandantin Adem Jashari dhe me pjesëtarët e bërthamës së parë çlirimtare të Drenicës. Ata, në vitin 1991 kishin kaluar kufirin edhe ishin futur ilegalisht në Shqipëri, me qëllim për t’u stërvitur dhe për t’ u armatosur.
Në periudhën para fillimit të luftës së hapur kundër forcave pushtuese serbe, Ilaz Kodra mori pjesë aktive në forcimin e njësiteve luftarake të UÇK-së, në mobilizimin e vullnetarëve. Po ashtu, ai mori pjesë edhe betejën e njohur të Rezallës së Re, betejë kjo që u zhvillua më 26 nëntor të vitit 1997.
Ilaz Kodra, Fehmi Lladrovci, Abedin Rexha e të tjerë ishin kthyer në Drenicë së bashku me familjet e tyre. Po ashtu, frontet e luftës ishin zgjeruar edhe në Dukagjin, Anadrin, Neredime, në Shalë e në Llap.
Ilaz Kodra ishte pjesëtar i kreut të luftës në Drenicë. Së bashku me Sami Lushtakun, Hashim Thaçin, Sylejman Selimin, Mujë Krasniqin, Rexhep Selimin, Nuredin Lushtakun, Fehmi Lladrovcin, Xhevë Krasniqin-Lladrovci, Abedin Rexhën, Musë Jasharin, Sahit Jasharin, Shaban Shalën, Fadil Kodrën, Zenun Kodrën, Ilaz Dërgutin, Asllan Fazliun, Besim Malën, Sabit Llardovcin e shumë të tjerë, komandant Ilaz Kodra ka marrë pjesë si në organizimin dhe strukturimin e luftës çlirimtare, ashtu edhe në zhvillimin e saj në terren, në malet e Qyqavicës dhe gjithandej në Drenicën Qendrore.
Rrezja e veprimit luftarak e Brigadës 114, “Fehmi Lladrovci” e Zonës Operative të Drenicës shtrihej në një pjesë të Qyqavicës, prej Kronit të Mbretit, në Vasilevë në Drenas, Verboc Shtuticë, Baks, Qirez, Morinë, Dashevc, Prekaz, Polac, Prelloc, Skenderaj e deri në Tërnac.
Në prill të vitit 1999, forcat okupatore serbe të goditura ashpër nga aeroplanët e NATO-s mllefin dhe zemërimin po e derdhnin kundër popullatës civile duke pushkatuar e masakruar kudo ku ata bënin përpjekje të mbijetonin, në kushte dhe rrethana të një rrethimi të hekurt.
Me të marrë lajmin se forcat serbe po bënin përpjekje të mësynin popullatën civile në fshatin Verboc e Shtuticë, Ilaz Kodra niset për t i shkuar në ndihmë popullatës.
Në vitin 2012 është zbuluar busti i heroit dhe është inauguruar kulla, muze e tij. /kp/