Blushi: Pasojat e keqqeverisjes më shumë se kudo tjetër ndihen në qarkun e Kukësit

nga D V

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, gjatë një mbledhjeje me strukturat drejtuese të partisë në Qarkun e Kukësit, ka kritikuar qeverinë në lidhje me problemet infrastrukturore dhe ekonomike që kanë prekur qytetarët e Kukësit, Tropojës dhe Hasit.

Në fjalën e tij, Blushi theksoi se qytetarët e Kukësit, veçanërisht, po përballen me pasiguri dhe vështirësi të mëdha si pasojë e keqqeverisjes.

“Besoj, pasojat e keqqeverisjes 11-vjeçare të Edi Ramës, më shumë se kudo tjetër ndihen në Kukës, ndihen në Tropojë, ndihen në Has, sepse edhe sot, në këtë ditë feste, Kukësi ka qenë pa energji elektrike”, tha Blushi.

Blushi gjithashtu kritikoi projektet infrastrukturorë, si ndërtimin e Urës së Kukësit, e cila, sipas tij, ka bërë më shumë dëm se dobi për qytetarët, duke ndarë Kukësin në disa pjesë dhe duke i bërë ata të ndihen si një “ishull të vetmuar”.

“Gati 35 milionë euro shpenzoi Rilindja për të ndërtuar urën e Kukësit që e le sot Kukësin si një ishull të vetmuar dhe kur ndërkohë të gjithë e dimë që urat ndërtohen për t’i lidhur njerëzit me njëri tjetrin dhe jo për t’i ndarë, ndërsa ura e Kukësit është kthyer sot si e vetmja urë që ndan njerëzit dhe ju i dini arsyet pse, sepse banorët e lagjes Drinas e dinë shumë mirë se sa mund dhe sakrifica iu duhet, për faj të kësaj ure që e ka ndarë Kukësin në disa pjesë dhe e ka lënë qytetin si një ishull të vetmuar, se me sa sakrifica i çojnë sot fëmijët në shkollë”, tha Blushi.

Blushi tha gjithashtu se qeveria ka lënë pas dore fermerët dhe blegtorët e Kukësit, duke u dhënë atyre mbështetje të pamjaftueshme.

Në fund të fjalës së tij, Blushi krahasoi situatën ekonomike në Kukës me atë në Kosovë, duke theksuar se pensionet dhe rrogat në Kosovë janë dyfish më të larta, ndërsa në Shqipëri, sipas tij, nuk pritet rritje e pagave në vitin që vjen.

“Vitin e ardhshëm Edi Rama ka parashikuar 0 fonde për rritje pagash, ndërsa Kosova do të rrisë pagat me 110 euro në muaj”, u shpreh Blushi.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More