Celibashi vendos numërimin e votave të ardhura nga shqiptarët në Greqi

nga D. V.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve vendosi sot që votat e mbërritura nga Greqia, të cilat janë lënë pezull, do të numërohen.

Sipas kryekomisionerit Celibashi nuk është gjetur asnjë parregullsi në këto kuti.

Teksa shpjegoi edhe tagrin ligjor për grupet e numërimit, komisionet dhe instancat, ai tha se, ky vendim merrej vetëm nga KQZ dhe më pas vlerësohej nga KAS apo Kolegji dhe kurrsesi asnjë grup numërimi dhe komision nuk kishte të drejtën të vendoste nëse do numërohej apo jo.

Celibashi vlerësoi se nuk ka pasur asnjë kuti me probleme apo të kontestuar me prova dhe në këtë mënyrë i hapej ligjërisht rrugë numërimit të tyre, teksa vendimi hynte në fuqi menjëherë.

“Si grupet e vlerësimet e votave nga jashtë ashtu dhe komisionet kanë vetëm kompetencën e numërimit dhe jo vlerësimin e parregullsive. Kjo përgjegjësi është e KQZ ose e KAS dhe Kolegjit më pas”, tha ai.

“KQZ i ka marrë të gjitha kutitë në dorëzim dhe asnjëra prej tyre nuk është përcaktuar si e parregullt. Për sa kohë janë caktuar të rregullta është detyrim ligjor si për grupet dhe komisionet për t’u vlerësuar dhe numëruar çdo votë nga jashtë”, theksoi Celibashi.

Ai theksoi se, “anëtarët kanë të drejtë të kontestojnë vota të caktuara dhe t’i shënojnë dhe nuk kanë asnjë tagër tjetër ligjor zgjedhor. Nuk kanë as kompetencë proceduriale për të shqyrtuar ankesa apo kërkesa për procedurat dhe shkeljet.

Ky vlerësim bëhet vetëm pasi të ketë përfunduar numërimi dhe tabulimi dhe më tej instancat përkatëse vlerësojnë nëse ka shkelje të kodit zgjedhor dhe të vlerësojnë masën e saj apo nëse ndikojnë në këto rezultate”, tha Celibashi.

“Vendos vazhdimin dhe numërimin e të gjitha votave që kanë ardhur nga jashtë si tabulimin e rezultateve dhe të dhënave nga këto rezultate deri në fund. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, theksoi ai.

Votat e mbërritura nga Greqia u lanë pezull nga KSHZ pas kërkesës së bërë nga Partia Demokratike drejtuar KQZ-së. Por pas këtij vendimi, PS e ankimoi në KAS, dhe ky i fundit i dha të drejtë.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More