Cilat janë arsyet që e shtyjnë pushtetin të shkarkojë kryeprokurorin Kocevski?

nga Xh M

Shkup, 15 dhjetor – Shkarkimi i prokurorit publik shtetëror, Lupço Koçevski, pritet pothuajse me siguri të ndodhë nesër në seancën e Kuvendit. Propozimi i Qeverisë do të futet në rend dite që sot, njoftoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, gjatë një brifingu me gazetarët, duke bërë të ditur se procedura do të zhvillohet me ritëm të përshpejtuar, ashtu siç ishte paralajmëruar më herët nga ekzekutivi.

Koçevski ka deklaruar tashmë se ka ndërmend të marrë pjesë në seancën parlamentare ku do të debatohet për shkarkimin e tij dhe të shprehet lidhur me akuzat. Edhe pse ftesa zyrtare ende nuk i është dërguar, Gashi theksoi se sapo propozimi të formalizohet si pikë e rendit të ditës, Koçevski do të njoftohet dhe do të ftohet zyrtarisht.

Në këtë mënyrë, kryeprokurori aktual do të ketë mundësi të japë llogari për pothuajse dy vitet e punës së tij dhe të paraqesë argumentet e veta ndaj pretendimeve të përfshira në propozimin e Qeverisë për shkarkim. Qeveria e miratoi propozimin në mbledhjen e saj të fundit dhe e dorëzoi atë në Kuvend, ndërsa zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, deklaroi se procedura po vazhdohet pas ndërprerjes së përkohshme gjatë periudhës zgjedhore, në përputhje me kufizimet ligjore.

Shkarkimi i paralajmëruar i Koçevskit është rezultat i pakënaqësisë së shprehur publikisht nga pushteti aktual ndaj punës së tij, që nga fillimi i formimit të Qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE në mesin e vitit të kaluar. Këto pakënaqësi kulmuan në shkurt të këtij viti, kur Qeveria hapi procedurë për shkarkimin e tij, duke argumentuar se ishte e zhgënjyer nga veprimet e tij jashtë kompetencave ligjore dhe nga funksionimi i përgjithshëm i Prokurorisë.

Procedura u pezullua përkohësisht pas tragjedisë së madhe në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 u plagosën, disa prej të cilëve më pas ndërruan jetë. Kryeministri Mickoski atëherë deklaroi se propozimi për shkarkim do të vihej “ad acta” deri në përfundimin e hetimeve dhe ngritjen e aktakuzës për rastin.

Ndërkohë, përplasjet mes Qeverisë dhe kryeprokurorit rezultuan edhe me votimin e një interpelance në Kuvend. Më 29 korrik, Kuvendi me 71 vota “për” dhe asnjë “kundër” apo “abstenim”, e miratoi interpelancën e paraqitur nga Levica për punën e Koçevskit, por ajo nuk pati pasoja juridike që do të çonin në largimin e tij nga funksioni.

Pas shkarkimit të pritshëm nesër, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, paralajmëroi se do të shpallet sa më shpejt konkurs publik për zgjedhjen e një prokurori të ri shtetëror, në përputhje me ligjin dhe Rregulloren e Kuvendit.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More