Shkup, 15 dhjetor – Kompania që më parë ka përgatitur Planin Lokal Ekologjik të Veprimit për Komunën Kisella Vodë do të jetë e angazhuar edhe në përgatitjen e dokumentacionit teknik për projektin më të madh hekurudhor në vend – ndërtimin e hekurudhës së shpejtë dybinare përgjatë Korridorit 10, nga Tabanovci deri në Bogorodicë.
Sipas planit të Qeverisë, deri në vitin 2028 pritet të fillojë qarkullimi i trenave të parë të mallrave, ndërsa deri në vitin 2031 hekurudha e shpejtë dybinare të përfundojë plotësisht. Projekti do të financohet përmes një kredie në vlerë prej rreth 1,9 miliardë eurosh, e cila pritet të garantohet nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, në kuadër të partneritetit strategjik me këtë shtet.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, deklaroi se përgatitjet tashmë kanë nisur dhe se punimet e para në terren pritet të fillojnë në fund të verës ose në fillim të vjeshtës së vitit të ardhshëm. Aktualisht po zhvillohen punët përgatitore, përfshirë hartimin e dokumentacionit teknik, studimet e fizibilitetit dhe vlerësimin e ndikimit në mjedis.
Me rekomandim të UKEF, agjencisë zhvillimore të Mbretërisë së Bashkuar, është përzgjedhur kompania IRM për përgatitjen e dokumentacionit teknik. Në tenderin për zgjedhjen e konsulentit për këtë fazë ka konkurruar vetëm kompania italiane “ERM Italia Spa” nga Milano, e cila ka ofruar çmim prej 51,8 milionë denarësh, apo rreth 850 mijë euro pa TVSH.
ERM Italia në këtë projekt ka angazhuar si nënkontraktorë kompaninë zvicerane “SSB Sauerwein & Schaefer Bau AG” dhe kompaninë vendore “G-Konsalt” SHPKEL nga Shkupi. “G-Konsalt” ka përvojë të konsiderueshme në këtë fushë dhe, sipas të dhënave publike, ka përgatitur edhe Planin Lokal Ekologjik të Veprimit për Komunën Kisella Vodë për periudhën 2022–2028, gjatë mandatit të kryetarit aktual të Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.
Sipas kontratës, studimi i fizibilitetit duhet të përfundojë deri në fund të marsit 2026, ndërsa studimi për vlerësimin e ndikimit në mjedis deri në qershor 2026. Paralelisht do të realizohen edhe hulumtime ekologjike në të paktën dy sezone, për të vlerësuar efektet e mundshme të trasës në mjedis.
Afati për ndërtimin e hekurudhës është pesë vjet. Qëllimi është që deri në vitin 2031 të përfundojë plotësisht linja dybinare, ndërsa njëra linjë, e dedikuar për transportin e mallrave, të vihet në funksion që në vitin 2028.
Projektimi dhe ndërtimi do të realizohen si një paketë e vetme, ku përgjegjësinë do ta ketë kompania ndërtuese që do të zgjidhet, me synim shmangien e vonesave, anekseve shtesë dhe rritjes së kostove. Sa i përket financimit, Qeveria synon që kthimi i kredisë të nisë vetëm pas përfundimit dhe dorëzimit të projektit, me një periudhë grejs të barabartë me kohëzgjatjen e ndërtimit.