Shkup, 3 qershor – Euforia dhe gëzimi për ndërrimin e pushtetit tek shqiptarët në Maqedoninë e Veriut vazhdon edhe më tej, me përjashtim të një pjese që do të humbin privilegjet. Pas qeverisjes së vazhdueshme 22 vjeçare të një subjekti të njëjtë politik, në periudha të shkurtra shoqëruar edhe nga subjekte tjera, ndryshimi nga shumë shqiptarë po përjetohet jo vetëm si moment politik, por edhe si akt historik. Pa marë parasysh debatet që janë prezente rreth asaj se kush e ka, ose kush nuk e ka legjitimitetin, konturat e qeverisë së re tashmë janë “vizatuar” në mënyrë të qartë dhe duke pasur parasysh raportet numerike në Kuvend, nuk ekzistojnë indikacione se këto kontura do të ndryshojnë në përmasa më të mëdha në katër vitet e ardhshme, shkruan Zhurnal
.
Është normale që pas një qeverisje aq afatgjatë të një subjekti të njëjtë, konkretisht Bashkimit Demokratik për Integrim, te një pjesë e madhe e opinionit tek ju në Maqedoninë e Veriut është krijuar një kënaqësi me vetë ndryshimin e ndodhur. Por, sa të kalon euforia, do e shohim se vetë ndryshimi i ndodhur nuk është i mjaaftueshëm, por se nevojitet ndryshim pozitiv dhe kualitativ. Do të shihni se nevojiten gjëra më të thella dhe më rrënjësore se sa ndryshimi i ndodhur politik. Nevojitet, pikësëpari, një analizë e mirëfilltë se çka është punuar mirë deri tani, se çka është bë gabim. Ajo që është punuar mirë, duhet respektuar, duhet ruajtur dhe avancuar edhe më tej. Qeevritarët e rinj patjetër duhet të marin shembull nga sukseset e qeveritarëve të kaluar, por edhe duhet të përmirësojnë gabimet që kanë bë ata. Nuk duhet pasur qasje negative, për hedhje poshtë të gjitha gjërave vetëm pse janë bë nga pushteti paraprak. Aty ku ka pasur rezultate pozitive, duhet vazhduar pa asnjë dyshim.
Por në shumë sfera nevojiten ndryshime, sepse gjërat nuk kanë shkuar si duhet. Edhe fëmiu në djep e din se Maqedonisë së Veriut i nevojitet ndërprerje e praktikave korruptive dhe luftë më aktive kundër dukurisë së korupsionit. Pushtetarët tanë të deritanishëm shpeshherë kanë bartur “stafetën” në këtë lëmi, prandaj u takon qeveritarëve tanë të rinj të mbajnë “stafetën” në luftën kundër kësaj dukurie. Këtë e kanë edhe obligim politik, edhe moral edhe kombëtar. Nuk guxojmë ne shqiptarët e RMV-së të mbajmë njollën e popullit me politikanë të korruptuar, që nuk dinë të qeverisn ndryshe, përveç se përmes keqpërdorimeve. U takon qeveritarëve tanë të rinj të dëshmojnë të kundërtën-se rastet individuale paraqesin përjashtime, por se në përgjithësi shqiptarët do të jenë shembull për qeverisje të mirë dhe pa praktika korruptive.
Nuk guxon më që viset e banuara me shqiptarë të mbajnë “titullin” e viseve ku lulëzon krimi dhe dukuritë devijante. Qeveritarët tanë të rinj duhet ta dëshmojnë krejtësisht të kundërtën: fillimisht të ndërprejnë ndikimin e strukturave kriminale në politike, pastaj të “shterrin” burimet e të ardhurave të tyre kriminale, e në fazën e fundit edhe t’i dërgonjnë në burg, atje ku e kanë vendin. Faza e tretë do të realizohet shumë lehtë, nëse me sukses realizohen dy fazat e para, duke u ndërpre kriminelëve ndikimin në politikë dhe duke ua ndërpre burimet e financimit, shkruan Zhurnal.
Por dy fazat e para nuk janë të lehta, duke pasur parasysh se sa shumë kanë depërtuar strukturat kriminele në vendimmarrjen politike shqiptare, duke u bë faktor kyç në përzgjedhjen e kuadrove si në struktura partiake, poashtu edhe në ekzekutiv. Ata do të përpiqen të ruajnë pozitat, që i kanë krijuar deri tani, kur kemi parasysh se vite me radhë kanë arritur të akumulojnë kapital në mënyrat më të pista dhe përmes atij kapitali të ndërtojnë pozita të fuqishme si në politikë, poashtu edhe në shoqëri, ku aktivitetin e tyre kriminel shpeshherë kanë ditur ta maskojnë me petkun patriotik, sa që në Maqedoninë e Veriut keni pasur situata që nuk janë vërejtur askund në botë-krimit t’i jepet epitet patriotizmi.
Mirëpo me një luftë këmbëngulëse të qeveritarëve të rinj, ata do të dorëzohen shumë shpejtë dhe nga figura të rëndësishme në shoqëri, shpejtë do të struken në strofullat e tyre kriminele, të cilat poashtu duhet të shkatërrohen dhe shpartallohen në një fazë të ardhshme, jo shumë të vonuar./Zhurnal