Costa: Sanksionet e SHBA-së ndaj zyrtarëve evropianë janë të papranueshme

nga D. V.

BE-ja dënon kufizimet e udhëtimit të vendosura nga Shtetet e Bashkuara ndaj qytetarëve dhe zyrtarëve evropianë dhe këto masa janë të papranueshme midis aleatëve, partnerëve dhe miqve, deklaroi sot presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.

“BE-ja mbron me vendosmëri lirinë e shprehjes, rregullat e drejta digjitale dhe sovranitetin e saj rregullator”, theksoi ai.
Dega ekzekutive e BE-së gjithashtu dënoi veprimin e SHBA-së në një deklaratë.

“Komisioni Evropian dënon fuqimisht vendimin e Shteteve të Bashkuara për të vendosur kufizime udhëtimi për pesë qytetarë evropianë, përfshirë ish-komisionerin evropian Thierry Breton”, thuhej në të.

“Liria e shprehjes është një e drejtë themelore në Evropë dhe një vlerë themelore e ndarë me Shtetet e Bashkuara në të gjithë botën demokratike”, theksonte deklarata.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur ndalim hyrjeje për pesë persona për shkak të censurës së supozuar të platformave online amerikane, tha Departamenti amerikan i Shtetit.

Midis të prekurve janë dy drejtorë menaxhues të organizatës gjermane ”HateAid”, e cila bën fushatë kundër abuzimit online.

Departamenti i Shtetit tha se ndalimi vlen për Anna-Lena von Hodenberg dhe Josephine Ballon, tha zëvendëssekretarja e Shtetit, Sarah Rogers në X.

Von Hodenberg u vlerësua me Urdhrin Federal të Meritës të Gjermanisë në tetor në njohje të punës së saj kundër dhunës dixhitale.
”HateAid”, e themeluar në vitin 2018, konsiderohet si qendra e parë kombëtare e këshillimit në Gjermani për njerëzit e prekur nga abuzimi online.

Ndalimi i hyrjes synon gjithashtu ish-komisionerin francez të BE-së Thierry Breton, i cili konsiderohet si një nga arkitektët e Aktit të Shërbimeve Digjitale të BE-së, legjislacion që rregullon platformat online.

Dy individë të tjerë të emëruar nga Departamenti i Shtetit janë Imran Ahmed, themelues i Qendrës për Kundërshtimin e Urrejtjes Digjitale SHBA/MB, dhe Clare Melford, themeluese e Indeksit Global të Dezinformimit me bazë në Mbretërinë e Bashkuar.

Të dy organizatat punojnë për të luftuar gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin në internet.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More