Ministri i Jashtëm Igli Hasani nuk mohon presionin ndaj OSBE/ ODIHR për raportin e zgjedhjeve të 11 majit.
Ministri reagoi pak orës pas denoncimit nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, i cili publikoi sot letrën që Hasani u ka dërguar krerëve të OSBE/ ODIHR, një ditë pas zgjedhjeve ku shpreh shqetësimin për gjetjet negative që janë bërë në raportin paraprak, ku faktohet farsa zgjedhore
Në deklaratën e tij Hasani kamuflon presionin e tij me gjuhën diplomatike ndaj raportit negativ, duke e quajtur si ‘saktësime teknike’ apo sqarime që janë vlerësuar se mund të merren parasysh nga raportuesit gjatë hartimit të Raportit përfundimtar.
Pra Hasani, – i cili raportin paraprak të drejtuesve të misionit të OSBE/ ODIHR e quajti në letëtr “një pasqyrim ndjeshëm negativ dhe të paekuilibruar” thotë se këtu nuk kemi të bëjmë me presion por me saktësime teknike dhe kontekst lidhur me gjetjet e raportit paraprak, për të cilat vlerësohet se janë të nevojshme.
Çfarë deklaruan ndërkombëtarët?
Një ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR deklaroi në gjetjet paraprake se gara zgjedhore në Shqipëri ishte “e pabarabartë” për shkak të “keqpërdorimit masiv të burimeve shtetërore dhe pushtetit institucional nga partia në pushtet” si dhe nga mungesa e medias së pavarur, e cila nuk siguroi që votuesit të ishin të mirëinformuar mbi zgjedhjen që bënë.
Cila është letra e Hasanit?
Tiranë, 12 maj 2025
Për: Farah Karimi, Koordinatore Speciale dhe Udhëheqëse e Misionit Afatshkurtër të OSBE-së
Ambasador Lamberto Zannier, Shef i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR
Björn Söder, Shef i Delegacionit të AP të OSBE-së
Simone Billi, Shef i Delegacionit të AP të Këshillit të Europës
Michael Gahler, Shef i Delegacionit të PE
Më lejoni t’ju shpreh edhe një herë mirënjohjen tonë të sinqertë për Misionin Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve, për angazhimin dhe përkushtimin e vazhdueshëm në monitorimin e zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 11 maj 2025 në Shqipëri.
Në lidhje me Deklaratën e Gjetjeve dhe Përfundimeve Paraprake të publikuar më 12 maj 2025, dëshiroj të shpreh me respekt pritshmërinë tonë që këto raporte të pasqyrojnë në mënyrë të saktë realitetin e vëzhguar në terren gjatë gjithë procesit zgjedhor.
Në këtë kuadër, më duhet të shpreh shqetësimin serioz lidhur me paragrafin hyrës të Deklaratës, i cili paraqet një pasqyrim ndjeshëm negativ dhe, sipas mendimit tonë, të paekuilibruar të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025. Toni dhe korniza e këtij paragrafi hyrës rrezikon të errësojë kontekstin më të gjerë të përparimeve të bëra, përfshirë përmirësimet demokratike si rritja e transparencës, avancimi i teknologjisë zgjedhore dhe, në mënyrë të veçantë, zbatimi me sukses i votimit nga jashtë vendit.
Për më tepër, pohimi se partia në pushtet ka përfituar nga përdorimi i përhapur i burimeve administrative nuk është i mbështetur mjaftueshëm, veçanërisht për një vlerësim paraprak. Për shembull, referenca në faqen 2 (paragrafi 4) për “faljen e një numri të madh gjobash shtetërore pak para ditës së zgjedhjeve” nuk përfshin sqarimin e dhënë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në letrën e datës 8 maj 2025. KQZ-ja konfirmoi se projektvendimi i qeverisë për masat administrative të paekzekutuara nuk bie ndesh me Kodin Zgjedhor të Shqipërisë.
Gjithashtu, përmendja në raport e “intimidimit të përhapur të votuesve” duket të bazohet kryesisht në akuza të pa verifikuara. Siç është bërë publikisht e ditur, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ngritur një njësi të posaçme për zgjedhjet, për të hetuar të gjitha denoncimet e besueshme për intimidim të votuesve dhe parregullsi zgjedhore. Janë nisur disa hetime dhe janë kryer arrestime – tregues të qartë të përkushtimit institucional të Shqipërisë për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor dhe për të garantuar llogaridhënie.
Lidhur me përshkrimin e klimës elektorale si “shumë e polarizuar”, theksojmë se, pavarësisht mospajtimeve të forta, partia në pushtet nuk ka kundërshtuar zyrtarisht vendimet kryesore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve – përfshirë vonesën në publikimin e rezultateve të votimit elektronik dhe pezullimin e numërimit të votave nga Greqia, pas një kërkese nga opozita. Këto veprime pasqyrojnë një zgjedhje të qëllimshme për të ruajtur një klimë politike të qetë dhe konstruktive.
Në lidhje me vërejtjen se mjedisi mediatik mungon në raportim të pavarur dhe se shumica e mediave perceptohen të jenë në linjë me partinë në pushtet (faqe 3, paragrafi 2), dëshirojmë të rikujtojmë deklaratën e bërë nga Shefi i Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve gjatë konferencës për shtyp pas zgjedhjeve, duke sqaruar se “nuk duket të ketë autocensurë, siç ishte raportuar në Përfundimet Paraprake.” Ne besojmë se kjo dallim është thelbësor dhe duhet të reflektohet në raportin e shkruar.
Duke marrë parasysh këto konsiderata, i bëjmë thirrje me respekt Misionit dhe ODIHR-it që të sigurojnë një qasje më të balancuar dhe të bazuar në prova në vlerësimet e tyre. Është me rëndësi që gjetjet paraprake të mos hedhin dyshime të pajustifikuara mbi një proces zgjedhor që, siç pranohet edhe në vetë raportin, është zhvilluar përgjithësisht në mënyrë profesionale dhe në përputhje me standardet demokratike.
Në fund, dëshiroj të ritheksoj mirënjohjen e thellë të autoriteteve shqiptare për rolin e rëndësishëm që luan misioni juaj në mbështetjen e zhvillimit demokratik në Shqipëri. Këtë reagim e ofrojmë në frymën e një angazhimi konstruktiv dhe bashkëpunimi të vazhdueshëm.
Ju lutem pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë.
Me respekt,
IGLI HASANI
Çfarë deklaroi Berisha sot?
“Kam denoncuar me forcën më të madhe kërcënimet, presionet e Edi Ramës dhe ministrit Igli Hasani ndaj vëzhguesve ndërkombëtarë me qëllim që ata të ndryshojnë raportin…
Pra, Igli i narkoshtetit shkruan me tërbim se në paragrafin e parë, delegacionet në komunikatën e përbashkët, damkosin farsën elektorale.
Dhe ky në vend se t’i falenderojë, u thotë se kemi shqetësime dhe shpreh indirekt kërcënim, pa studiuar asnjë dokument, por vetëm vullnetin patologjik për të mbrojtur farsën që kanë organizuar.
Eshtë në pozitat e një njeriu të kapur. Në pozitat e një varësie të tmerrshme nga Edi Rama njëlloj si Altin Troplini, që thotë se nuk ka prova.
Duke dënuar me forcën më të madhe këtë letër si një përpjekje autoritare, të dënueshme, të palejueshme për të ndërhyrë direkt dhe zhvlerësuar, për të bërë presion dhe zhvlerësuar raportin paraprak të OSBE/ODIHR, u bëj thirrje medieve që të informojnë shqiptarët për këtë dokument të pashembullt në 32 vite në historinë e Europës”
Çfarë deklaron ministri Hasani?
“Në lidhje me pretendimet e sotme të Kryetarit të Partisë Demokratike mbi letrën e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme drejtuar institucioneve ndërkombëtare të përfshira në vëzhgimin e zgjedhjeve të 11 Majit 2025 në Shqipëri, sqarojmë se:
Siç është e qartë dhe në letrën e përmendur, nuk bëhet fjalë për ndërhyrje në punën e Misionit të vëzhguesve të ODIHR, dhe aq më pak presion ndaj tyre.
Është në praktikën normale të çdo procesi zgjedhor, që autoritetet e shtetit pritës të përcjellin pranë Misionit vëzhgues saktësime teknike dhe kontekst lidhur me gjetjet e raportit paraprak, për të cilat vlerësohet se janë të nevojshme për t’u konsideruar në një raport përfundimtar të bazuar në fakte dhe prova.
Edhe në rastin në fjalë, janë paraqitur sqarime që janë vlerësuar se mund të merren parasysh nga raportuesit gjatë hartimit të Raportit përfundimtar. Sigurisht, marrja në konsideratë apo jo e sqarimeve, është ne diskrecionin e plotë të Misionit vëzhgues.
Kujtojmë se edhe vetë ODIHR ka reaguar më parë që nuk ka pasur një presion të tillë.
MEPJ mbetet gjithmonë e angazhuar për të respektuar pavarësinë dhe integritetin e çdo mekanizmi vëzhgues në përputhje me mandatin që i është ngarkuar nga ODIHR”