Eksperti i ekonomisë: Paqja fiskale lehtëson bizneset, ja rreziku që mbart

nga L. M

Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministrin e Financave Petrit Malaj, dhe ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ditën e sotme zhvilluan një takim me komunitetin e biznesit, në një dialog të hapur për nisjen e një kapitulli të ri bashkëpunimi, që synon formalizimin dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike duke përgatitur sipërmarrjen për procesin e integrimit europian.

Rama tha se paqja fiskale është një nismë që lehtëson qindra biznese, ndërsa theksoi se zbatimi i nismës do të fillojë në janar të vitit 2026.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Aleksandër Furxhi, eksperti i ekonomisë Klodian Muço shprehet se paqja fiskale përbëhet nga dy faza kryesore.

Sipas tij, faza e parë lidhet me faljen e gjobave dhe detyrimeve të prapambetura.

Muço thekson se rishikimi i bilanceve të tre viteve të fundit u krijon bizneseve mundësinë të deklarojnë të ardhura të padeklaruara më parë, duke ndihmuar në uljen e informalitetit. Megjithatë, ai paralajmëron se ekziston rreziku që paratë e ekonomisë kriminale të depërtojnë në ekonominë formale.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i nismës, sipas Muços, është marrëveshja me bizneset që parashikojnë rritje të të ardhurave mbi 18% në vitin pasardhës, çka i nxit ato të rrisin deklarimet dhe investimet.

Sipas ekspertit, ndërsa paqja fiskale mund të ndihmojë në formalizimin e ekonomisë, ajo duhet të shoqërohet me mekanizma të fortë kontrolli për të shmangur abuzimet dhe ndikimin e kapitalit kriminal në treg.

INTERVISTA E PLOTË:

Sot, Kryeministri Rama tha se paqja fiskale është një nismë që lehtëson qindra biznese. Një opinion i përgjithshëm për paqen fiskale?

Muço: Kjo nismë ndahet në dy faza ose përmban dy nënçështje brenda saj. Aspekti i parë është falja e gjobave të prapambetura për detyrimet. Detyrimet që i përkasin periudhës para vitit 2014 bëhen zero, ndërsa për ato pas vitit 2014 ka një sërë aspektesh me pagesa që shkojnë deri në 5% si taksë.

Qeveria thotë se kjo paqe fiskale rrit formalizimin. Çfarë mendoni?

Muço: Rishikimi i bilanceve të tre viteve të fundit u jep mundësi bizneseve që të deklarojnë atë që kanë fshehur në të kaluarën, pra informalitetin. Megjithatë, ekziston aspekti negativ që paratë e ekonomisë kriminale mund të depërtojnë në ekonominë reale. Aspekti i dytë është marrëveshja për të gjitha ato biznese që parashikojnë të ardhura mbi 18% në vitin pasardhës, kjo stimulon biznesin që të rrisë deklarimet. Pra, nëse e shohim nga ky këndvështrim, kjo mund të ndikojë në formalizimin e ekonomisë.

Ka pasur një debat lidhur me ndryshimin që mund të ketë ndërmjet kësaj pakete të paqes fiskale dhe asaj që ka qenë objektiv i qeverisë, por që nuk u realizua, amnistia fiskale. A ka ndryshim?

Muço: Rishikimi i buxheteve të tre viteve të fundit për bizneset mbi 18 milionë lekë është diçka e ngjashme me amnistinë, sepse u jepet mundësia bizneseve të rishikojnë bilancet e tyre. Duke pasur parasysh paragjykimet që kemi për shtetin shqiptar dhe faktin që kontrollet në disa raste janë të pamundura, frika më e madhe është se paratë e gjeneruara nga krimi mund të depërtojnë në bilancet e kompanive. Kjo është ngjashmëria me amnistinë dhe kjo është ndoshta edhe kritika kryesore që vetë BE-ja apo SHBA-ja i bëjnë paqes fiskale.

/vizionplus.tv

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More