Arrestohet në Granada të Spanjës, një nga bashkëpunëtorët e Ervis Doçit, i njohur si Visi i Pojës. Juxhin Drazhi është vënë në pranga në një vilë në zonën e Granadas, ku edhe jetonte.
Ndaj Drazhit ishte lëshuar një urdhër-arresti nga SPAK që në muajin prill, por arrestimi i tij u shty për pas zgjedhjeve të 11 Majit, sepse siç akuzon dhe opozita, organizata Troplini ku bënte pjesë dhe i arrestuari i sotëm, ishte në ndihmë të Edi Ramës për të vjedhur zgjedhjet parlamentar.
Drazhi është proceduar nga SPAK, për akuzën e “Trafikut të kokainës” kryer në bashkëpunim dhe “Grupit të strukturuar kriminal”. Në emër të Drazhit rezulton i regjistruar në Durrës një biznes i tregtimit të automjeteve dhe lënies me qira të tyre.
‘Si rezultat i bashkëpunimit shumë të ngushtë të Interpol Tiranës me Interpol Madridin dhe policinë spanjolle, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Ëanted”, u krye arrestimi në Spanjë, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar J. D., 34 vjeç.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, në prill 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Madrid/Spanjë, vijon bashkëpunimin për finalizimin e ekstradimit të këtij shtetasi drejt vendit tonë’, bën të ditur policia në një njoftim të saj, në lidhje me këtë arrestim.