Emri/ I dehur në timon shkaktoi aksident, kapet 32-vjeçari i shpallur në kërkim

nga L. M

Një aksident rrugor në Sukth çoi në ndalimin e një 32-vjeçari, i cili jo vetëm drejtonte automjetin në gjendje të dehur, por rezultoi edhe person në kërkim, i dënuar me burgim për mashtrim me TVSH-në.

Menjëherë pas njoftimit se një automjet ishte përplasur me disa pemë, shërbimet e Policisë Rrugore shkuan në vendngjarje për kryerjen e veprimeve procedurale. Gjatë kontrollit, drejtuesi i mjetit, shtetasi Alfred Dumi, 32 vjeç, iu nënshtrua testit të alkoolit, i cili në matjen e dytë rezultoi 1.29 mg/l, mbi normat e lejuara.

Nga verifikimet e mëtejshme, policia konstatoi se 32-vjeçari ishte aktualisht në kërkim, pasi Gjykata e Tiranës, në vitin 2024, e kishte dënuar me 2 vjet burgim për veprën penale “Krijimi i skemave të mashtrimit lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.

Sipas hetimeve, në vitin 2022, ai kishte administruar një subjekt tregtar, përmes të cilit u lëshuan fatura fiktive me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore. Subjekti i tij, së bashku me 12 subjekte të tjera, i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej 300 milionë lekësh.

Nga aksidenti u dëmtua lehtë pasagjeri që ndodhej në automjetin e drejtuar nga 32-vjeçari. Në përfundim të veprimeve procedurale, Alfred Dumi u vu në pranga dhe do t’i dorëzohet Policisë së Tiranës për veprime të mëtejshme. Ndërkohë, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More