Gjermania miraton planin për të tërhequr më shumë rekrutë ushtarakë

nga D. V.

Ligjvënësit gjermanë miratuan sot planin e qeverisë për të tërhequr më shumë rekrutë ushtarakë, ndërsa vendi përpiqet të rrisë radhët e forcave të armatosura përballë shqetësimit në rritje për kërcënimin që paraqet Rusia, sipas AP.

Plani parashikon gjithashtu kontrolle të detyrueshme mjekësore për të rinjtë.

Ai nuk e rikthen rekrutimin, megjithëse lë të hapur mundësinë e shërbimit të detyrueshëm për të paktën një numër të kufizuar në rast se lind nevoja.

Dhoma e Ulët e parlamentit, Bundestagu, miratoi planin me 323 vota pro, 272 kundër dhe një abstenim.

Ky ligj është një version i modifikuar i një plani që kabineti i kancelarit, Friedrich Merz e miratoi në gusht.

Gjermania ka vënë në dispozicion miliarda euro për të përmirësuar pajisjet e ushtrisë së saj pas disa vitesh neglizhencë dhe qeveria e ka kthyer vëmendjen e saj në përpjekjen për të tërhequr më shumë rekrutë ushtarakë.

Gjermani nuk është e vetmja që përpiqet të forcojë forcat e saj të armatosura; javën e kaluar, Franca zbuloi një program për të trajnuar mijëra vullnetarë të moshës 18 dhe 19 vjeç duke filluar nga viti i ardhshëm.

Belgjika dhe Polonia gjithashtu kanë plane për të tërhequr më shumë njerëz për t’u trajnuar ose për të shërbyer.

“Me legjislacionin e ri, po bëjmë një hap të mëtejshëm vendimtar për aftësitë tona mbrojtëse”, tha sot ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius.

Gjermania pezulloi rekrutimin për burrat në vitin 2011 dhe më pas bëri përpjekje për të tërhequr një numër të madh vullnetarësh afatshkurtër.

Në vitet e fundit, numri i personelit ushtarak ka qenë mbi 180,000 – krahasuar me 300,000 në vitin 2001, më shumë se një e treta e të cilëve ishin rekrutë.

Tani qeveria kërkon ta rrisë shifrën në 260,000 në dekadën e ardhshme.  Sipas saj, do të ketë nevojë edhe për rreth 200,000 rezervistë, më shumë se dyfishi i shifrës aktuale.

Plani i miratuar sot parashikon paga dhe kushte më të mira për njerëzit që bashkohen në baza afatshkurtra, trajnim më të mirë dhe më shumë fleksibilitet – duke filluar nga një minimum prej gjashtë muajsh.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More