Këshilli i Ministrave ka hapur aplikimet për funksionin e kryetarit të Komisionit të Prokurimit Publik.
Aplikimet do të jenë të hapura deri në 27 janar 2025 dhe në përfundim të procesit Këshilli i Ministrave do t’i dërgojë Kuvendit listën e kandidatëve të kualifikuar sipas renditjes dhe listën e kandidatëve që nuk plotësojnë kriteret për t’u emëruar.
Sipas njoftimit të shpallur në faqen zyrtare të Kryeministrisë, aplikanti duhet të plotësojë disa kritere, ndër të cilat duhet të ketë mbi 8 vjet përvojë pune, nga të cilat të paktën 3 vjet në fushën e prokurimeve dhe, të paktën, 2 vjet në pozicion drejtues.
Ndër dokumentet që aplikanti duhet të dorëzojë është edhe formulari i vetëdeklarimit në zbatim të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen,
emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar.
Vlerësimi i aplikimeve do të kryhet nga komisioni ad-hoc, brenda 30 ditëve kalendarike nga data e mbylljes së aplikimeve. Komisioni bën vlerësimin paraprak të dosjeve të aplikantëve dhe publikon në web-faqen zyrtare të Kryeministrisë listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret për t’u përzgjedhur.
Komisioni ad-hoc, brenda 20 ditëve kalendarike nga data e mbylljes së vlerësimit paraprak të dosjeve, bën vlerësimin me pikë të tyre.
Pas vlerësimit të jetëshkrimit, kandidatët mund t’i nënshtrohen intervistës së strukturuar me gojë, për të cilën do të njoftohen për datat përkatëse të zhvillimit të saj.
Lista e kandidatëve për kryetar të Komisionit të Prokurimit Publik, renditur sipas pikëve të marra, do të publikohet në web-faqen zyrtare të Kryeministrisë.