Hapet në Vlorë Qendra LILIUM, shërbime 24/7 për viktimat e dhunës seksuale

nga D. V.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim të ngushtë me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe me mbështetje financiare të qeverisë së Suedisë përmes Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida), përuroi sot qendrën e re LILIUM për Menaxhimin e Krizave në Rastet e Dhunës Seksuale në Vlorë.

Hapja e kësaj qendre përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e përgjigjes institucionale të Shqipërisë ndaj dhunës seksuale dhe në zgjerimin e aksesit në shërbime të integruara dhe të përqendruara tek mbijetuesit në nivel lokal.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, e pranishme në ceremoninë e përurimit theksoi rëndësinë e ofrimit të shërbimeve të specializuara dhe të menjëhershme për viktimat e dhunës seksuale, duke nënvizuar se kjo qendër përfaqëson një standard të ri të kujdesit të integruar dhe të ndjeshëm ndaj nevojave të mbijetuesve.

“Qendra, e cila ofron shërbime 24/7 në anonimitet të plotë, është ndërtuar mbi parimin se shëndeti dhe mirëqenia e viktimave janë prioritet absolut dhe se çdo person që përjeton dhunë seksuale ka të drejtë për kujdes profesional, respekt dhe mbështetje të menjëhershme”, u shpreh ministrja Sala.

Gjithashtu, ministrja theksoi se Qendra LILIUM 2 përfaqëson një model të ri të kujdesit socio-shëndetësor multidisiplinar dhe të integruar, ku të gjitha shërbimet, nga kujdesi shëndetësor emergjent, ekzaminimi mjeko-ligjor dhe mbledhja e provave për ndjekjen e rasteve në sistemin e drejtësisë penale, deri te mbështetja psikosociale, ofrohen në të njëjtin vend, në të njëjtën kohë dhe nga profesionistë të specializuar për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale.

Duke evidentuar rëndësinë e këtij modeli dhe angazhimin institucional për mbrojtjen e viktimave, ministrja Sala deklaroi se “modele të tilla të qendrave të specializuara dhe multidisiplinare do të shtrihen gradualisht në të gjithë vendin, si pjesë e vizionit tonë për një sistem më të fortë, më të ndjeshëm dhe më të drejtë për të gjitha viktimat e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje.”

Qendra LILIUM në Vlorë është e dyta e këtij lloji në Shqipëri, pas hapjes së qendrës së parë në Tiranë në vitin 2018. Që nga nisja e funksionimit të Qendrës LILIUM në Tiranë, rreth 215 viktima të dhunës seksuale nga i gjithë vendi kanë përfituar shërbime të specializuara, ndërsa dy qendrat “one-stop” për fëmijët viktima të dhunës seksuale në Fier dhe Shkodër kanë trajtuar rreth 73 raste.

Hapja e Qendrës LILIUM në Vlorë pasqyron angazhimin e përbashkët të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, UNDP-së dhe qeverisë së Suedisë për të reduktuar barrierat në akses, për të minimizuar rrezikun e viktimizimit të përsëritur dhe për të garantuar që mbijetuesit , veçanërisht ata që jetojnë në zona rurale dhe komunitete të margjinalizuara të kenë akses në shërbime të specializuara më pranë vendbanimit të tyre.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More