Gjykata Themelore në Prishtinë, ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj , Ilir Abdullahut i njohur si Liza. Ai dyshohet se ishte i përfshirë në vrasjen e policit Triumf Riza.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ndryshe, më 16 tetor 2023 Gjykata Themelore në Prishtinë ia kishte zëvendësuar Abdullahut masën e paraburgimit me atë të dorëzanisë në vlerën prej 100 mijë euro. Gjykata e Apelit më 3 nëntor 2023 e ka kthyer në paraburgim të dyshuarin për përfshirje në vrasjen e policit Triumf Riza, Ilir Abdullahu, i njohur si “Liza”.
Abdullahu deri në momentin e arrestimit të tij më 16 korrik 2023 ishte në arrati mbi 10 vite dhe ishte në kërkim edhe të INTERPOL-it.
Ndërkohë, në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vijon procesi gjyqësor ndaj Enver Sekiraqës, i akuzuar për nxitje në vrasjen e Rizës.