Arrestimi i Dritson Kurtit në shtator të vitit të kaluar pasi solli në jetë një vajzë me bashkëjetuesen e mitur, vetëm 13 vjeç solli protesta të komunitetit rom atje.
Ndërkohë që sipas ligjit shqiptar, 25-vjeçari akuzohet për marrëdhënie seksuale me të mitur. Fati i të riut është mes traditës dhe ligjit, por shqetësues është fakti se e mitura mbeti në kufijtë e mbijetesës e vetme me foshnjën.
Në një intervistë ekskluzive për “Top Story”, ata ndalen te traditat rome dhe se çfarë presin në të ardhmen.
Nga ana tjetër, bashkëjetuesja e tij tha: “Ishte shumë e vështirë. Merrnim shumë borxh për t’ia dalë, për vajzën, për ne. Është e padrejtë, sepse nuk jam vetëm unë, por të gjithë ne martohemi të vogla”.
Ajo shtoi gjithashtu se nuk e dinte moshën që kishte kur u martua, të cilën e mësoi vetëm pasi pa certifikatën e lindjes.
“Unë kam qenë 12 vjet e gjysmë. Në fakt nuk e kam ditur moshën. Unë s’di shkollë. Babi më solli disa certifikata që ka pasur atje te materniteti. Shikoi te burimet që isha 13 vjeç e gjysmë… Babi ishte dakord për martesën”, shtoi ndër të tjera bashkëjetuesja e Dritsonit.
“Planet për të ardhmen janë që të punojmë dhe të nxjerrim bukën e gojës. Siç e shikoni nga ekonomia, jemi pak copë, sepse unë isha i vetmi person që mbaja dy punë.
Vajzën dua që të ndjekë shkollën, të shohë jetën e saj që mos të ketë një jetë që kisha dhe unë.
Nuk e jap dot fjalën që vajzën ta martoj të vogël apo të madhe. Varet se si shkon jeta”, tha i riu. /Tch