Një përfaqësues i Kinës në OKB bëri thirrje të premten për përpjekje ndërkombëtare që të nxisin dialogun dhe të ulin tensionet mes Izraelit dhe Iranit. Ai kërkoi gjithashtu armëpushim të menjëhershëm dhe ndalimin e luftimeve.
Fu Cong, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB, paralajmëroi në një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit se përshkallëzimi i mëtejshëm i konfliktit do të sillte humbje më të mëdha jo vetëm për të dyja palët, por edhe për vendet e rajonit.
Fu bëri thirrje që bashkësia ndërkombëtare të bëjë çdo përpjekje për të nxitur dialogun dhe për të parandaluar që konflikti të “rrëshqasë në një humnerë të panjohur”. “Palët e konfliktit, veçanërisht Izraeli, duhet të ndalojnë menjëherë luftimet, për të shmangur përshkallëzimin dhe përhapjen e dhunës.”
Ai theksoi rëndësinë e mbrojtjes së civilëve dhe se përdorimi i pakontrolluar i forcës është i papranueshëm. Fu kërkoi që palët të shmangin me vendosmëri goditjen e civilëve të pafajshëm, të mos sulmojnë objektet civile dhe të lehtësojnë evakuimin e shtetasve të vendeve të treta.
Fu përshëndeti bisedimet në Gjenevë mes Ministrit të Jashtëm iranian dhe homologëve të tij nga Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania, si dhe përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikën e jashtme dhe të sigurisë. Ai gjithashtu shprehu mbështetje për deklaratën e përbashkët të lëshuar nga ministrat e jashtëm të 21 vendeve arabe dhe islame, të cilët bënë thirrje për armëpushim, rifillimin e bisedimeve mbi çështjen bërthamore iraniane dhe ruajtjen e paqes së qëndrueshme në rajon.
Kina është e gatshme të vazhdojë të forcojë komunikimin dhe koordinimin me të gjitha palët përkatëse, të krijojë sinergji, të mbrojë drejtësinë dhe të luajë një rol konstruktiv në rivendosjen e paqes në Lindjen e Mesme.


