Koçiu: Dezinsektimi vijon në të gjitha zonat turistike, në gjashtë qarqe të vendit

nga D. V.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e shoqëruar nga prefekti i Qarkut Vlorë, Plator Nesturi dhe përfaqësues të Bashkisë Vlorë ka ndjekur nga afër kryerjen e procesit të dezinsektimit në Zvërnec.

Gjatë inspektimit, ministrja Koçiu evidentoi se ky proces, i cili ka filluar në muajin mars, po vijon të kryhet edhe në zona të tjera të nxehta, në gjashtë qarqe në vend, përfshirë edhe qarkun e Lezhës, për herë të parë këtë vit.

“Ky është një proces që është kryer vit pas viti, por risia në këtë vit është që shtrihet në të gjashtë qarqet kryesore të Shqipërisë, të cilat kanë edhe vijë bregdetare duke nisur që nga Shkodra, Lezha këtë vit, për të vazhduar më tej me Durrësin dhe Tiranën. Në Qarkun e Vlorës ne e kemi nisur me Zvërnecin, po vazhdojmë me Nartën dhe do vazhdojmë edhe në 11 zona të tjera, edhe në plazhet më të frekuentuara, me Radhimën, me Orikumin, me Himarën, shkojmë deri në Sarandë e përgjatë gjithë vijës bregdetare të Qarkut”, tha Koçiu.

Duke u ndalur tek efikasiteti i këtij procesi, ministrja Koçiu tha se “ky proces nuk synon të zhdukë mushkonjat, por redukton në maksimum bezdisjen që vjen prej tyre”.

Ajo nënvizoi se “është një proces periodik që zhvillohet çdo dy javë. Që do të thotë se nëse ne sot jemi duke kryer dezinsektim këtu, ekipet e Njësitë e Kujdesit Vendor Shëndetësor së bashku me ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik vijnë edhe vlerësojnë nëse ka qenë proces efektiv, nëse ka ende prezencë të larvave për ta ribërë procesin sërish. Pra, çdo dy javë ka një vlerësim periodik dhe një rikryerje të dezinsektimit me qëllim që të kemi efikasitet maksimal”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.

Ndërkohë prefekti i Qarkut Vlorë, Plator Nesturi tha se ky proces kryhet prej shumë vitesh dhe ka patur impakt pozitiv në jetën e përditshme të qytetarëve.

“Është një eksperiencë shumëvjeçare e jona dhe rrjedhimisht jemi akoma dhe më efikas dhe me metodat që përdoren gjithnjë e më bashkëkohore duke bërë trajtime jo vetëm në kanale dhe bodrume, por duke hyrë dhe në shtëpitë e qytetarëve derë më derë me informim dhe me trajtim të vatrave të vogla në kopshtet e tyre, vazo me lule apo gjëra që mbajnë ujë për ta bërë këtë proces sa me efikas dhe më afër qytetarëve dhe duke marrë edhe mendimet e tyre”, u shpreh ai.

Në të gjithë Qarkun e Vlorës janë 108,76 ha laguna, parqe, kanale, pellgje, zonë urbane dhe 5437 m2 bodrume dhe puseta ku do të kryhet dezinsektimi.

Përveç plazhit, Nartës, Zvërnecit, Parkut Kombëtar të Butrintit dhe zonat ujëmbajtëse përreth, dezinsektimi do të vijojë edhe në 11 zona të Qarkut Vlorës: Radhimë, Orikum, Dhërmi, Jal, Himarë-Livadh, Qeparo, Borsh, Bunec, Çukë, Sarandë dhe Ksamil.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More