Kolegji Zgjedhor rrëzon opozitën për mandatin e Vangjel Tavos, si kryebashkiak i Himarës, i hapet rruga betimit

nga Xh M

Vangjel Tavo është përfundimisht kryetar i Bashkisë Himarë. Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar të hënën ankimin e koalicionit Bashkë Fitojmë, të cilët kërkonin pavlefshmërinë e zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Himarës, që u mbajtën më 4 gusht.

Kolegji Zgjedhor, me votë unanime, ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), i cili vlerësoi se duhej miratuar rezultati final i zgjedhjeve në Himarë, pasi nuk është konstatuar asnjë shkelje që do të ndryshonte rezultatin zgjedhor.

Vendimi i hap rrugën betimit të kandidatit fitues të zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Himarës, Vangjel Tavo, i cili kandidoi me logon e Partisë Socialiste në këto zgjedhje të pjesshme, përballë kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Petraq Gjikuria.

Nëpërmjet një njoftim për mediat, trupi gjykues i Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, i përbërë nga gjyqtarët Nafije Hasko (Relatore), Esmeralda Xhili, Manjola Xhaxho, Alma Kolgjoka dhe Sokol Ibi, shqyrtoi të hënën çështjet Nr.5 dhe Nr.6 të regjistruara më 30 gusht 2024, në një seancë të zhvilluar në ambientet e Gjykatës Administrative të Apelit në Tiranë.

Në këtë proces, Koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe Partia “Bashkimi për të Drejtat e Njeriut”, përfaqësuar nga avokatët Franci Nuri dhe Vangjel Dule, paditën Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për pavlefshmërinë e zgjedhjeve të zhvilluara në 36 qendrat e votimit të Bashkisë Himarë.

Objekti i padisë përfshinte kërkesën për ndryshimin e vendimit të KAS dhe përsëritjen e zgjedhjeve në Bashkinë Himarë.

Kolegji Zgjedhor, pas shqyrtimit të argumenteve, vendosi unanimisht rrëzimin e padisë së Koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe Partisë “Bashkimi për të Drejtat e Njeriut”.

“Ky vendim është i formës së prerë dhe nuk lejohet ankim.”, thuhet në njoftimin për shtyp.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More