Komisioni Parlamentar i Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, opozita voton kundër rezolutës

nga D V

Në ditën e dytë të punimeve të Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, pala shqiptare nuk ka rënë dakord, duke çuar në mosmiratimin e kësaj rezolute.

Ka qenë opozita që ka refuzuar të japë votën pro, duke dhënë argumentimet e rastit. Delegacioni i PE-së u shpreh se vota kundër është një sinjal negativ për Këshillin Europian, duke ngadalësuar edhe procesin e integrimit.

“Kolegë, nëse nuk votoni tekstin përfundimtar të rezolutës do të jetë sinjal negativ për Këshillin dhe do të ketë impakt negativ për negociatat e ardhshme. Nëse dini të ndihmoni anëtarësimin në BE, unë mendoj se duhet të votoni pro, pavarësisht se respektoj mendimin kundër”, tha kryesuesi i delegacionit të PE-së.

Nga pala e opozitës, reagoi Gazment Bardhi, i cili u shpreh: “E kemi publik dhe me votë mbështetjen ndaj procesit të integrimit, por nuk mund të votojmë pro një rezolute ku nuk pasqyrohet asnjë prej amendamenteve të opozitës, që në këndvështrimin tonë japin pasqyrë reale të situatës në vend. Në këtë kuptim, detyrohemi të votojmë kundër, por nuk do të thotë se nuk mbështesim procesin e integrimit. Por, rezoluta e përbashkët, nëse do të jetë, duhej të pasqyroheshin në atë tekst shqetësimet e opozitës”,  tha ai.

Deputetja Jorida Tabaku u shpreh se vota kundër e opozitës ndaj kësaj rezolute vjen për disa arsye. “I dëgjova me interes përfaqësuesit e PE-së. Do të doja që kjo thirrje të ishte dhe për mazhorancën për amendamentet tona. Mund të kishim gjetur dakordësi, por ajo jepet nga ata që menaxhojnë pushtetin. Vota jonë vjen si rezultat i hedhjes poshtë të amendamenteve të opozitës nga mazhoranca”, tha Tabaku.

Kreu i delegacionit të PE-së bëri thirrje për miratimin e kësaj rezolute. “Duhet të arrijmë një kompromis, ne kemi bërë disa lëshime nga ana jonë dhe nëse kjo do të bëhej edhe nga pala shqiptare do të bëhej miratimi. Kështu arrijmë një lloj progresi. Edhe ne në Itali kemi dallime në pjesën politike, e njëjta gjë ndodh edhe në Shqipëri, por sërish e gjejmë gjuhën e kompromisit. Shpresojmë që kjo rezolutë të miratohet”, tha ai.

Deputeti i PS-së, Toni Gogu, në cilësinë e bashkëkryetarit të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, e hodhi në votim këtë rezolutë, e cila mori shumicën e theksuar nga delegacioni europian dhe tre vota abstenim.

“Voton me shumicë të theksuar delegacioni europian, por për shkak se delegacioni shqiptar nuk bën dot shumicën, këtë rezolutë për të cilën ne punuam dy ditë, kolegët e opozitës nuk na dhanë votën, nuk e miratojmë dot”, tha Gogu.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi tha se opozita nuk është kundër procesit të integrimit, por kjo votë kundër është për shkak të refuzimit nga mazhoranca të çdo propozimi të PD-së.

“Grupi parlamentar i PD-së do të votojë kundër rezolutës. Kjo jo se opozita është kundër procesit të integrimit por për shkak se mazhoranca refuzon çdo propozim tonin. Propozimet kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme”, tha Bardhi.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More