Konferencë: Nëse menaxhohet siç duhet, mbeturinat mund të jenë burim me potencial të madh ekonomik

nga D. V.

Shkup, 29 maj – Potenciali i ekonomisë cirkulare, menaxhimi me mbeturina si resurs, dekarbonizimi dhe aplikimi i energjisë së gjelbër dhe veglat digjitale, janë thelbësore për krijimin e një të ardhme të qëndrueshme, tha sot zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, në Konferencën e 6-të ndërkombëtare “Rruga drejt menaxhimit të qëndrueshëm me mbeturina”.

Qeveria, tha Mexhiti, mbetet fuqishëm e përkushtuar për krijimin e një sistemi të qëndrueshëm rajonal për menaxhim me mbeturina, zhvillimin e ekonomisë cirkulare përmes selektimit, riciklimit dhe përdorimin e sërishëm të lëndëve sekondare.

“Qëllimi është të reduktohet ndjeshëm sasia e mbeturinave që përfundojnë në depo, ndërsa materialet me vlerë të kthehen në prodhim”, tha ministri.

Sipas tij, menaxhimi i qëndrueshëm i mbeturinave dhe ekonomia cirkulare janë sfidë serioze në kohën e ndryshimeve intensive klimatike.

“Vendimet që sot i marrim do të formësojnë jetën e gjeneratave që do të vijnë. Mbeturinat nuk i shohim më si barrë, por si resurs me potencial ekonomik. Me menaxhimin e duhur mund të krijojmë vlera, vende pune dhe mjedis jetësor të pastër”, nënvizoi Mexhiti.

Ai paralajmëroi se së shpejti do të fillojë ndërtimi i deponisë së parë të standardizuar rajonale në vend, proces në të cilin, tha, bashkëpunimi ndërkomunal do të jetë kyç. Njëkohësisht, shtoi, po punohet edhe për pastrimin e deponive ilegale, me qëllim që të jetë “Maqedonia pa deponi për mbeturina”.

Konferencën e organizon Asoacioni i Maqedonisë për menaxhim me mbeturinat e ngurta (MaSWA), ndërsa pjesëmarrësit sot dhe nesër do të flasin për parimet bashkëkohore të menaxhimit me mbeturina, për përvojat e ndryshme, sfidat, por edhe zgjidhjet më të mira.

Siç u tha, biznesi, Qeveria, sektori civil dhe mediat janë të gatshëm të bashkëpunojnë për një Maqedoni më të pastër.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More