Ministri i jashtëm Igli Hasani ka kërkuar përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Kartën e Adriatikut. Hasani tha se për Shqipërinë, si kryesuese e Kartës së Adriatikut, zbatimi i politikës së dyerve të hapura mbetet prioritet kyç.
Këto qëndrime, kreu i diplomacisë shqiptare i ka mbajtur në mëngjesin e punës të organizuar nga kryesia shqiptare me vendet anëtare të Kartës SHBA-Adriatik (A-5), ku theksoi se Shqipëria mbetet e vendosur me vendosmëri për të promovuar paqen dhe stabilitetin, nxitjen e dialogut dhe rritjen e bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor.
“Ne qëndrojmë gjithashtu si avokatë të fortë për integrimin evropian dhe euroatlantik të Ballkanit Perëndimor”, tha ministri Hasani.
foto galeri foto galeri foto galeri foto galeri foto galeri foto galeri foto galeri 1234567PreviousNext
Në vijim ai u shpreh se “një përgjigje pozitive ndaj kërkesës së kahershme të Kosovës për anëtarësim është një hap vendimtar dhe i vonuar që duhet të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Në takim morën pjesë vendet anëtare dhe vëzhguese të Kartës SHBA-Adriatike, Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, SHBA-të, Kosova (vëzhgues), Serbia (vëzhgues) dhe Sllovenia (e ftuar).
Në mëngjesin e punës të organizuar përgjatë javës së Nivelit të Lartë të OKB-së, u vlerësua fokusi i Shqipërisë në kryesimin e nismës dhe diskutimet u fokusuan mbi zhvillimet në rajon dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit përballë sfidave të përbashkëta të sigurisë.