Ku janë paratë që mungojnë në buxhetin e shtetit?

nga I.A

Shkup, 19 korrik – Vazhdimisht ka pasur akuza e është stërfolur tema e korrupsionit në vend, por shumë pak për të mos thënë aspak persona konkret janë të dënuar për vepër korrupsioni. Buxheti i shtetit është buxheti i popullit që mbushet nga tatimet që paguan secili qytetarë në forma të ndryshme, e në këtë buxhet qasje kanë udhëheqësit e popullit. Por, jo çdoherë ata që zgjidhen nga populli i shërbejnë të njëjtit, e kjo më së miri dëshmohet nga keqpërdorimi i këtij buxheti. Se është keqpërdorur buxheti i shtetit nga qeveria e kaluar e konfirmoi kryeministri aktual, Hristijan Mickovski, i cili deklaroi se gjendja me buxhetin është alarmante dhe se mungojnë para për çka organet e hetuesisë do të kenë shumë punë në periudhën e ardhshme, shkruan Zhurnal.

A mungojnë para nga buxheti i shtetit?

Kryeministri Hristian Mickoski thotë se gjendja me Buxhetin është alarmante dhe se mungojnë para për çka organet e hetuesisë do të kenë shumë punë në periudhën e ardhshme. Para për rritjen e premtuar të pensioneve, thotë se do të ketë.

Në ditarin qendror në televizionin “Sitel”, Mickoski tha se për “Pyjet Kombëtare” ku të punësuarit nuk kanë marrë pagë katër muaj, nevojiten prej 250 deri 300 milionë denarë, për “Ujësjellësin” prej 60 deri 100 milionë denarë, ndërsa mungojnë edhe tre miliardë e 700 mijë denarë për bujqit.

“Kanë bërë Buxhet për gjashtë muaj sikur e dinin se nuk do të ketë më Qeveri, prandaj u përpoqën t’i lënë sa më shumë probleme Qeverisë së re kështu që miliarda e miliarda denarë të mbesin pa mbuluar. Ka detyrime ligjore që është dashur t’i kryejnë, nuk i kanë paraparë në Buxhet etj. por mendoj se organet e hetuesisë do të kenë shumë punë në periudhën në vijim”, tha Mickoski.

Një miliard e 200 mijë denarë, sipas Mickoskit, duhet të paguhen edhe në bazë të gjobave për faktin se disa nga ministrat i kanë rishpërndarë të punësuarit në institucionet jashtë ligjit. Lidhur me ndërtimin e autostradave për të cilat qeveria e kaluar ka nënshkruar marrëveshje me “Behtel dhe Enka”, Mickoski tha se realizimi është rreth katër deri në pesë miliardë dhe se nuk janë zgjidhur marrëdhëniet pronësore-juridike, edhe pse shteti është zotuar për ta përfunduar në mesin e vitit të kaluar.

“Shteti ka marrë përsipër që nga mesi i vitit të kaluar do të duhet të hapë terrenin për punë për kompaninë kontraktore. Nga mesi i vitit të kaluar e deri më tani, ajo që duhet t’i paguajmë si gjobë kontraktorit, nëse ai vendos t’i faturojë, është rreth 36 milionë euro, gjegjësisht duhet të paguajmë tre milionë euro në muaj”, tha Mickoski.

Për kredinë prej 500 milionë eurosh nga Hungaria, Mickoski tha se është oferta më e mirë për momentin dhe se janë të hapur të bisedojnë me çdo institucion financiar që do të japë kushte më të mira. Ai beson se kredia nga Hungaria nuk duhet të dëmtojë marrëdhëniet me institucionet financiare ndërkombëtare.

“Më vjen keq që opozita nuk e pa të udhës të vlerësojë lëvizjen dhe të urojë. Ajo që po shikoja ishte më shumë si një komedi tragjike. Është aq tragjike siç thonë sa këto investime që paralajmëron Mickoski, ne kemi punuar në to, por nuk kemi arritur që të funksionojnë, kështu që Mickoski është dashur të vijë me bashkëpunëtorët e tij për të punuar në to. Paratë nuk kanë ngjyrë dhe kombësi. Vendet tjera le të na japin kushte më të mira, ne do t’i marrim prej andej”, tha Mickoski.

Për pagat e funksionarëve të cilët me vendim të Gjykatës Kushtetuese ishin rritur për 78 për qind, Mickoski tha se problemi duhet të zgjidhet sistematikisht.

Raporti i Transparency International për korrupsionin Maqedonia e Veriut në vendin e 85-të –

Në indeksin ndërkombëtar për perceptimin e korrupsionit në botë nga “Transparency International”, Maqedonia e Veriut është në vendin e 85-të nga 180 vende, në shoqërinë e Surinamit, Indisë, Maldiveve, Guajanës dhe Tunizisë.

Indeksi rendit 180 vende dhe territore në mbarë botën sipas perceptimit të qytetarëve për korrupsionin në sektorin publik dhe vlerësohet në një shkallë nga 0 (shumë e korruptuar) në 100 (shumë e pastër). Në krye të kësaj liste është  Danimarka, Finlanda, Zelanda e Re, Norvegjia, Singapori, Suedia.

Kujtojmë se gjyqësori në Maqedoninë e Veriut edhe gjatë vitit 2022 ka vazhduar të jetë në shënjestër të kritikave serioze për shkak të vendimeve skandaloze, të cilat kanë krijuar me të drejtë perceptimin te qytetarët se në këtë vend të vogël, ndëshkohen vetëm të pafuqishmit. Lufta kundër korrupsionit ka dështuar, prandaj ndërkombëtarët edhe këtë vit e kanë qortuar RMV-në, derisa të rinjtë po largohen për të gjetur një vend ku shteti të gjithë i trajton në mënyrë të barabartë.

“Që të sigurohet përgjegjësia dhe të tregohet vullnet i vërtetë për luftën anti-korrupsion, Qeveria duhet që në mënyrë adekuate të sigurojë resurve dhe të mundësojë pavarësinë e Komisionit Antikorrupsion dhe të institucioneve përgjegëjse për hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar” – thonë nga Transparency International.

“Korrupsioni në Maqedoninë e Veriut është kancer me metastaza që çdoherë pengon progresin”

Maqedonia e Veriut si shtet i pavarur nga 8 shtatori i vitit 1991, 31 vite shtet, përgjatë gjithë kësaj periudhe është përballë me luhatje e lëkundje të ndryshme që kanë dridhur edhe rrënjët e shtetit, por ja që të gjitha këto kanë qenë edhe të përballueshme e tejkaluese. Por, ajo që nuk po kalon dot e për të cilën mund të konstatohet lirshëm se është “sëmundje” kancerogjene që po dëmton në palcë shtetin tonë, është korrupsioni. Temë e stërfolur por pa ndonjë epilog konkret, komisione të shumta, apele të veçanta, veting i premtuar për çdo vit, e çka jo tjetër, vetëm për t’i shpallë luftë korrupsionit.

Megjithatë, një luftë e tillë ende nuk është parë në terren, ajo që publikohet në rrjete sociale dhe që thuhet në fushatë elektorale është krejtësisht tjetër dhe ka dallim të madh nga ajo që shihet në praktikë. Maqedonia e Veriut shtet i pavarur që 31 vite, që 17 vite shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ende nuk ka marrë datën për fillim të negociatave me BE-në. Kjo mbase edhe nuk po ndodhë rastësisht e as për inati të askujt, po ndodhë sepse Maqedonia e Veriut po ka problem serioz me korrupsionin, e që në BE nuk pranohen shtetet që kanë problem me korrupsionin. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More