Shkup, 5 gusht – Në një kohë kur integrimi rajonal dhe lëvizja e lirë e njerëzve përmenden si prioritete nga qeveritë e Ballkanit Perëndimor refuzimi i Serbisë për hapjen e vendkalimit kufitar Miratoc–Llojan pasqyron një të vërtetë të hidhur që kufijtë politikë mbeten ende instrument ndarës të kufijve etnikë. Pas gati tri dekadash kufiri 1.5 kilometërsh mes fshatrave shqiptarë Llojan në Kumanovë dhe Miratoc në Preshevë mbetet simbol i pengesave që gjenerohen jo nga infrastruktura por nga një mendësi politike që nuk ka evoluar. Faji kishte mbet jetim dhe luhej “ping pong” herë RMV shkaktare e herë Serbia, derisa vet Serbia e konfirmoi se janë pengesa kryesore, shkruan Zhurnal.
Kufiri Llojan–Miratocë nuk tejkalon dot kufijtë etnikë prandaj nuk hapet –
Refuzimi nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, me arsyetimin për “mungesë infrastrukture”, është në thelb një alibi për të maskuar një qëndrim politik të qartë të ruhet izolimi territorial dhe institucional i shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Ardita Sinani, kryetarja e Komunës së Preshevës, me të drejtë vë në dukje se arsyetimi i Beogradit nuk qëndron sepse precedentët në rajon janë të shumtë. Vendkalime si ai i “Dheut të Bardhë”, i cili kalon përmes zonave të banuara, funksionojnë pa probleme. Pra, nëse në kufirin Serbi–Kosovë mund të ketë vendkalime në zona rurale, përse kjo nuk vlen për kufirin me Maqedoninë e Veriut?
Përgjigjja nuk është teknike por është etnike. Serbia vazhdon të mbajë nën kontroll çdo pikë kontakti të shqiptarëve të Luginës me shtetet përreth, veçanërisht me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, ku jetojnë shqiptarë. Kjo strategji e izolimit institucional është pjesë e një politike të qëndrueshme për të minimizuar lidhjet natyrore e kulturore mes shqiptarëve në rajon.
Nuk është më faji te Maqedonia e Veriut por te Serbia –
Edhe përpjekjet për ta paraqitur palën maqedonase si përgjegjëse për vonesat, kanë rënë. Tashmë vetë ministritë serbe e pranojnë se refuzimi vjen nga Beogradi. Kjo përforcon bindjen se bëhet fjalë për një pengesë sistematike një mekanizëm politik për të ndaluar zhvillimin ekonomik, lëvizjen e lirë dhe shkëmbimet mes komuniteteve shqiptare të ndara nga kufiri.
Për qytetarët e Preshevës dhe Kumanovës ky kufi është pengesë dhe barrë për realizimin e vizitave të shpeshta që në fakt edhe zbehin lidhjet familjare të ndërtuara për vite të tëra. Realiteti është i trishtë ku nga një fshat në tjetrin ndahen vetëm 1.5 kilometra por që pika kufitare këtë distancë të shkurtër e tjetërsin në një realitet tjetër ku duhet kaluar mbi 40 kilometra nëpërmjet vendkalimeve të largëta të cilat dinë të jenë edhe shpesh të mbingarkuara me kolona të gjata.
Dhe, kjo nuk është gjë tjetër pos ofendim dhe cënim i të drejtave për të lëvizur lirë. Pra, në vend të dy kilometrave banorët duhet të bëjnë 20 fisht më shumë për ta vizituar njëri tjetrin. Pra, kjo nga qielli kuptohet dhe deshifrohet se është tendecioze dhe me qëllim të caktuar. Fshatrat e varfra rurale si Llojani e Miratoca nuk kanë nevojë për më shumë ndarje por kanë nevojë për ura bashkëpunimi dhe infrastrukturë që sjell jetë dhe tregti.
Natyrshëm lind pyetja se deri kur Serbia do të përdorë kufijtë si instrument të kontrollit etnik? Dhe më tej a do të qëndrojë Bashkimi Evropian i heshtur përballë këtij izolimi të një komuniteti të tërë që kërkon vetëm qasje normale dhe të drejtë ndaj kufirit? Në një rajon ku çdo fije komunikimi ndihmon në ndërtimin e paqes dhe bashkëpunimit e ky vendim përbën regres të theksuar që sjellë pasoja të mëdha.
Kujtojmë që, përgjegjësia është institucionale dhe politike, por presioni duhet të vijë nga poshtë nga qytetarët, nga shoqëria civile, nga vetë institucionet vendore si komuna e Preshevës, që me vendosmëri e ka shtyrë përpara këtë kërkesë. Sepse kjo nuk është thjesht një çështje lokale është një simbol i qasjes ndaj të drejtave të pakicave dhe të barazisë përpara kufirit. Në fund të ditës, kufiri Llojan–Miratocë nuk hapet jo sepse nuk ka rrugë por sepse ka shqiptarë në dyja anët e kufirit. Dhe kjo është një e vërtetë që duhet thënë hapur. /Zhurnal.mk