Listë e zezë europiane/ Maqedonia e Veriut e treta për nga numri i grave të vrara

nga Xh M

Shkup, 22 dhjetor – Të dhënat më të fundit të Eurostatit për vitin 2023, të analizuara nga “Euronews”, e pozicionojnë Maqedoninë e Veriut në vendin e tretë në Evropë për nga shkalla e femicidit. Me gjashtë gra të vrara për një milion banorë, vendi renditet menjëherë pas Letonisë, ku shkalla arrin 17 viktima për një milion banorë, dhe Lituanisë me 10 viktima për një milion.

Këto shifra e tejkalojnë ndjeshëm mesataren e Bashkimit Evropian, e cila është 4,1 gra të vrara për një milion banorë. Analiza tregon se problemi i dhunës me bazë gjinore mbetet një sfidë serioze sigurie dhe shoqërore, veçanërisht në vendet e Evropës Lindore dhe Juglindore.

Statistikat tregojnë gjithashtu se, në kuadër të Evropës, gratë janë dy herë më të rrezikuara të vriten nga një anëtar i afërt i familjes apo nga partneri intim, krahasuar me burrat, gjë që thekson lidhjen e drejtpërdrejtë mes femicidit dhe dhunës në familje.

Ndryshe nga Maqedonia e Veriut dhe vendet baltike, shkallët më të ulëta të këtyre vrasjeve janë regjistruar në Greqi me 1,8 viktima për një milion banorë, në Spanjë me 2, si dhe në Holandë me 2,3 gra të vrara për një milion banorë. Të dhënat ngrenë nevojën për politika më efikase parandaluese, mbrojtje më të fortë të viktimave dhe një luftë sistematike kundër dhunës me bazë gjinore.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More