Mexhiti: Brenda katër viteve do të bëjmë trefishin e asaj që kanë bërë të tjerët

nga Redaksia

Shkup, 31 janar – Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, në intervistë për TV Koha tha se për dallim prej pushteti të kaluar VLEN po bënë çdo ditë nga pak e në fund do të dale trefishi më shumë punë të dobishme për shqiptarët.
“Ne po mundohemi qetë çdo ditë nga pak me punuar për të mirën e shqiptarëve. Edhe pse politikën e bëjnë numrat, ne do ta dëshmojmë brenda katër viteve që me këto numra do të bëjmë trefishin e asaj që kanë bërë të tjerët”, tha zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti.

Mexhiti: Mentorët politikë të BDI-së kanë qenë Mijallkov dhe Gruevski

Mexhiti deklaroi se BDI ka pasur një bashkëpunim të thellë me VMRO-DPMNE-në e udhëhequr nga Nikola Gruevski. Ai shtoi se mentorët politikë të kësaj partie kanë qenë Sasho Mijallkov dhe Gruevski.

“Me ndihmën e shqiptarëve dhe faktorit ndërkombëtar, arritëm të sjellim ndryshimin dhe Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s. Por, nuk duhet të harrojmë se BDI vazhdoi bashkëpunimin e ngushtë me VMRO-DPMNE-në e Gruevskit, edhe pasi ishte në pushtet me LSDM-në. Mentorët politikë të BDI-së kanë qenë Mijallkov dhe Gruevski, si në çështje biznesi, ashtu edhe në sektorin e kazinove,” deklaroi Mexhiti.
Ai e cilësoi si fatkeqësi të madhe faktin që një parti e dalë nga lufta përfundoi si shërbëtore e Mijallkovit dhe Gruevskit.

Mexhiti: Ata që e kishin gojën plot integrime, nuk bënë asnjë lëvizje konkrete

Mexhiti shtoi se ata që flisnin vazhdimisht për integrime nuk ndërmorën asnjë hap të vërtetë në këtë drejtim.

“Edhe pas tetë vitesh në pushtet, BDI dhe LSDM nuk arritën asnjë përparim në procesin e integrimeve. Shqipëria hapi negociatat, ndërsa vendi ynë mbeti i bllokuar për shkak të korrupsionit të përhapur, mungesës së reformave dhe ndikimit të drejtpërdrejtë në gjyqësor,” theksoi Mexhiti. Ai shtoi se tashmë qeveria e re ka vënë si prioritet absolut integrimin evropian dhe po punon intensivisht për këtë synim.

“Sot jemi në një situatë tjetër, me një qeverisje të re ku integrimi evropian është prioritet mbi prioritete për VLEN-in. Së bashku me partnerët tanë strategjikë, po angazhohemi çdo ditë për ta bërë këtë realitet, sepse vetëm nuk mund ta arrijmë,” përfundoi Mexhiti.

Mexhiti: Qeveria që akuzohej si pro-ruse, tani po kritikohet pse qëndron në Uashington

Mexhiti theksoi paradoksin e akuzave ndaj qeverisë aktuale, duke vënë në dukje se ata që dikur e quanin pro-ruse, tani pyesin pse kryeministri po qëndron në Uashington.
“Është paradoksale të dëgjosh akuzat e oponentëve politikë. Dikur na quanin qeveri pro-ruse, ndërsa tani të njëjtit kritikojnë pse kryeministri dhe qeveritarët e tanishëm po shkojnë në Uashington apo pse kaq shpesh vizitojnë Shqipërinë dhe Kosovën,” tha Mexhiti.

Mexhiti: Rrini të qetë, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve nuk do të preket

Mexhiti theksoi se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve do të mbetet i paprekur. “Ata që e lanë gjuhën shqipe gjysmake dhe e reduktuan në një numër, 20%, tani po tentojnë ta keqpërdorin edhe më tej për të krijuar tensione dhe tollovi. Ne u themi të gjithëve të rrijnë të qetë, sepse edhe Gjykata Kushtetuese e ka kuptuar se kjo çështje është normë juridike dhe politike, e ndërlidhur me Marrëveshjen e Ohrit,” tha Mexhiti.
Ai shtoi se brenda koalicionit qeverisës ka pasur një dakordësi të qartë se ky ligj nuk duhet të preket.

Mexhiti: Shpërndarja e drejtë e buxhetit sjell më shumë spitale, shkolla dhe infrastrukturë më të mirë

Mexhiti foli edhe për rëndësinë e ekonomisë si faktor përcaktues për politikën, duke nënvizuar se VLEN i kushton vëmendje të veçantë progresit ekonomik.
“Ekonomia e determinon politikën. Po të vlente parimi i badenterit edhe në votimin e buxhetit të shtetit, statusi ekonomik dhe politik i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut do të ishte ndryshe. Atëherë, automatikisht do të përfitonin 25-30% të buxhetit në 16 komunat shqiptare,” deklaroi Mexhiti.
Ai shtoi se shpërndarja e drejtë e buxhetit do të reflektohej menjëherë në pushtetin lokal, duke sjellë investime në spitale, shkolla dhe infrastrukturë më të mirë.

Mexhiti: Të gjithë ish-ministrat e BDI-së kanë nënshkruar për heqjen e balancuesit

Mexhiti gjithashtu tha se BDI po vepron me hipokrizi duke kundërshtuar një vendim që vetë e ka mbështetur – heqjen e balancuesit.
“Të gjithë ish-ministrat e BDI-së, përfshirë Bujar Osmanin dhe Kreshnik Bekteshin, kanë vendosur nënshkrimet e tyre në vendimin për heqjen e balancuesit, duke e cilësuar atë të skaduar. Nuk mund të nënshkruash si ministër një vendim dhe më pas ta kundërshtosh atë për arsye politike. Ne nuk veprojmë si ata, por po punojmë për zgjidhjen përfundimtare ligjore të këtij problemi,” tha Mexhiti.
Ai shtoi se çështja e vetme e mbetur është përcaktimi i institucionit përgjegjës për zbatimin e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, mes opsioneve si Agjencia e Administratës, Avokati i Popullit apo Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve.

Mexhiti: Nga balancuesi te ligji – drejt një zgjidhjeje afatgjatë

Mexhiti foli për tërheqjen e balancuesit si një mekanizëm të dështuar, duke e cilësuar si një hap përpara për VLEN, e cila ka arritur marrëveshje me partnerët e koalicionit për krijimin e një ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.

“Këta gjykatës kushtetues janë zgjedhur nga shumica e kaluar, e cila tani abrogoi balancuesin. Po e njëjta gjykatë, kur ministër ishte Krenar Lloga, abrogoi edhe ligjin për librat amë, për të cilin BDI-ja as që hapi debat mbi rikthimin apo një zgjidhje tjetër. Tani, e njëjta gjykatë ka abroguar edhe mekanizmin e balancuesit. Kur ky mekanizëm nuk ishte në fuqi, numri i shqiptarëve në administratë ishte më i lartë dhe rritej në mënyrë rapide,” tha Mexhiti.
Ai shtoi se, ndryshe nga BDI që heshti, VLEN ka vepruar dhe ka siguruar një zgjidhje ligjore në vend të mekanizmit të balancuesit.

“Me ardhjen e balancuesit, numri i shqiptarëve në administratë u ul. Madje, vitet e fundit, ministrat e BDI-së kanë nënshkruar vetë se këtij mekanizmi i ka skaduar afati. Kur u abrogua ligji i librave amë, ata heshtën, ndërsa ne arritëm marrëveshje politike për një ligj që siguron përfaqësim të drejtë dhe adekuat,” përfundoi Mexhiti.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More