Shkup, 8 dhjetor – Nesër në mesditë nis mbledhja e komisionit të përhershëm hetimor në Kuvend, ku do të diskutohet për tragjedinë në diskotekën e Koçanit. Në seancë janë ftuar edhe anëtarë të familjeve të viktimave, presidentja e shtetit Gordana Siljanovska-Davkova, kryeministri Hristijan Mickoski dhe ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski.
Nga partia Levica, kryetari i së cilës Dimitar Apasiev kryeson këtë trup, sot dërguan njoftim ku theksojnë se presin që të gjithë të ftuarit të tregojnë përgjegjësi dhe të paraqiten.
“Apelojmë që nesër të mos ndodhë edhe një turp institucional. Seanca duhet të mbahet pa shtyrje, pa justifikime dhe pa kalkulime politike. Prindërit vijnë të thonë atë që shteti prej muajsh refuzon ta dëgjojë. Nga pushteti dhe udhëheqësit e shtetit pritet të paktën të paraqiten dhe t’i shikojnë në sy njerëzit që kërkojnë drejtësi, përgjegjësi dhe ndryshim”, thuhet në reagim.
TV 24 kërkoi përgjigje edhe nga institucionet më të larta të shtetit. Nga kabineti i presidentes ende nuk kanë qëndrim nëse ajo do të marrë pjesë. Nga VMRO-DPMNE konfirmuan se kryeministri nuk do të jetë i pranishëm, ndërsa nga MPB njoftuan se ministri Pançe Toshkovski nuk mund të vijë për shkak të një udhëtimi zyrtar në Bruksel, të planifikuar shumë më herët.
“Ministri Toshkovski do të jetë i pamundur të marrë pjesë për shkak të udhëtimit zyrtar në Bruksel, i caktuar para se të dihej data e komisionit hetimor”, thuhet në njoftimin e MPB-së për TV 24.
Një pjesë e deputetëve të shumicës parlamentare thanë se do të përpiqen të marrin pjesë në seancë, edhe pse do të jetë e vështirë pasi në të njëjtën kohë mbahet edhe debati për buxhetin. Megjithatë, nga grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së theksuan se nesër para seancës do të mbajnë koordinim dhe do të marrin vendimin përfundimtar. Nga LSDM dhe partitë e tjera opozitare konfirmuan pjesëmarrjen.
Nga bisedat që TV 24 zhvilloi me një pjesë të familjeve të viktimave dhe me avokatët e tyre, del se shumë prej tyre nuk do të mund të paraqiten për shkak të afërsisë së datës me seancën gjyqësore, obligimeve të punës dhe faktit se betejën e zhvillojnë paralelisht në disa fronte. Fokus i tyre mbetet Prokuroria dhe rrjedha e procesit gjyqësor.
Ndërkohë, pritet të formohet edhe komisioni tjetër hetimor, i propozuar nga shumica parlamentare, i cili përveç rastit të Koçanit do të trajtojë edhe tragjeditë e tjera: spitalin modular në Tetovë, aksidentin në Laskarci dhe rastin “Besa Trans – Durmo Tours”. Kryetari i këtij komisioni do të jetë nga radhët e opozitës.