Shkup, 13 shtator – Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, dje ka realizuar takim me një grup ambasadorë jorezidentë, të akredituar për vendin tonë, me seli në Sofje. Në takim, siç njofton Ministria, morën pjesë ambasadorët e Marokut, Egjiptit, Kuvajtit, Mongolisë, Gjeorgjisë, Moldavisë, Indisë, Kubës dhe Pakistanit.
Në takim, ministri Mucunski e theksoi rëndësinë e thellimit të marrëdhënieve dyplëshe me këto vende, ndërsa është shqyrtuar edhe mundësia e pranisë së tyre diplomatike rezidente, e cila do të mundësonte komunikim më të drejtpërdrejtë dhe më efikas.
Në të njëjtën kohë, ministri Mucunski e theksoi potencialin e madh për avancimin e bashkëpunimit ekonomik me vendet e përfaqësuara në takim.
Fokusi i bisedimeve, siç thuhet në kumtesë, ka qenë në potencialin për rritjen shkëmbimit tregtar, investimet direkte dhe partneritetet ekonomike në sektorë të ndryshëm.
Në këtë kontekst, theksi është vënë në energjinë, infrastrukturën, industrinë ushqimore, teknologjinë e informacionit dhe industrinë e automobilave. Në këtë rast, u bisedua edhe për intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e kulturës, shkencës, arsimit dhe turizmit.
Njëherësh, është theksuar përpjeka e ndërsjellë për bashkëpunim më të ngushtë në forumet ndërkombëtare, veçanërisht në përballjen me zhvillimet dhe sfidat e përbashkëta globale.
“Takimi ishte një mundësi e shkëlqyer për të konfirmuar rëndësinë e ndërtimit të partneriteteve dhe vendosi një bazë solide për bashkëpunim të thelluar ndërmjet shtetit tonë dhe vendeve të pranishme në takim përmes ambasadorëve të tyre”, bëri të ditur MPJ-ja.