Pas raportimeve se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndryshimin e masës së sigurisë për produktet e importuara nga Serbia, ka reaguar Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë e cila përshëndet vendimin e sotëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndryshimin e masës së sigurisë për produktet e importuara nga Serbia.
Për më shumë se një vit, Oda Amerikane thekson se një vendim i tillë ka pasur ndikim negativ në interesat komerciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian (BE), por edhe ka qenë në kundërshtim me frymën e promovuar nga Marrëveshja për Tregtinë e Lirë e Evropës Qendrore (CEFTA), por edhe zotimet e ndërmarra nga Kosova në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Hapi i sotëm i Qeverisë së Kosovës është megjithatë inkurajues dhe dëshmi se Kosova mbetet e përkushtuar në promovimin e lëvizjes së lirë të mallrave ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe avancimit të përpjekjeve për krijimin e tregut të përbashkët rajonal.
Oda Ekonomike Amerikane beson fuqishëm në idenë e lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, prandaj u bënë thirrje Kosovës dhe të gjitha shteteve pjesëmarrëse në nismat rajonale që të punojnë së bashku për largimin e të gjitha barrierave ekzistuese që pamundësojnë realizimin e katër lirive të sipër-cekura, e në këtë aspekt edhe eliminimin e barrierave të shumta me të cilat ballafaqohen prodhuesit nga Kosova në përpjekjet e tyre për eksport apo kalim transit në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë”, thuhet në reagim.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati pas pak do të mbajë konferencë për media, ku do të jep detaje për vendimin.