Nga Prekazi te Heroinat – Basha e Haxhiu nderojnë figurat historike të Kosovës

nga D. V.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, së bashku me nënkryetaren Albulena Haxhiu, ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, duke nderuar sakrificën e familjes Jashari.

Basha e cilësoi Prekazin si vendin ku liria e Kosovës mori kuptimin më të thellë, falë heroizmit të komandantit legjendar Adem Jashari dhe 58 anëtarëve të familjes së tij.

“Heroizmi i tyre është themeli mbi të cilin u ngrit çlirimi dhe pavarësia e Kosovës. Prekazi mbetet përjetësisht burim frymëzimi për vetëdijen tonë kombëtare, për unitetin dhe përkushtimin tonë ndaj atdheut”, deklaroi Basha.

Pas homazheve në Prekaz, kryetari Basha vazhdoi me nderime pranë varrit të presidentit historik dr. Ibrahim Rugova dhe te varri i Adem Demaçit, veprimtari i shquar i çështjes kombëtare dhe simbol i rezistencës.

Gjithashtu, Basha dhe Haxhiu bënë homazhe edhe te Memoriali “Heroinat”, për të kujtuar mbi 20,000 gra shqiptare të dhunuara gjatë luftës nga regjimi i Millosheviqit.

“Nderim i përjetshëm për të gjithë kontribuesit e lirisë sonë. Është obligim dhe detyrë e jona e përhershme që ta vazhdojmë rrugën që ata trasuan me veprat e tyre”, theksoi kryetari i Kuvendit. /Telegrafi/

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More