Nga premtimi te përgjegjësia rruga e vetme e mirë qeverisjes!

nga I.A

Shkup, 20 maj – Premtimet janë adekuate për fushatë e përgjegjësia pas saj. Nëse nuk bëhet një dallim në zbatim mes këtyre dyjave krijohet kaos që nuk zgjidhet dot. A ka nevojë politika për një model të ri të udhëheqjes ku ai funksionarë që nuk tregon rezultate duhet të zëvëndësohet? Në fjalimin e tij të fundit, kryeministri, Hristijan Mickoski, doli para publikut me një ton të prerë, të vendosur dhe retorikisht të pastër se Qeveria dhe partia do të ndryshojnë rrënjësisht në fillim të vitit të ardhshëm. Ai paralajmëroi një spastrim të madh në strukturat ekzekutive dhe politike, bazuar siç tha mbi kriterin e rezultateve dhe besueshmërisë ndaj qytetarëve. Në thelb, kjo është një përpjekje për të imponuar një narrativë të re të udhëheqjes politike meritokraci në vend të klientelizmit, llogaridhënie në vend të kompromisit të brendshëm. Por, sa realist është ky premtim? shkruan Zhurnal.

Retorika e ndryshimit si instrument politik –

Fjalët e Mickoskit nuk janë të papritura. Në vende me histori të gjatë të zhgënjimit publik ndaj elitave politike, retorika e “ndryshimit të brendshëm” është një formulë e njohur. Ajo mobilizon përkrahësit, zbut kritikët dhe rikrijon perceptimin e një lidershipi që “nuk kursen as të vetët”.

Duke shpallur prerë: Kush nuk tregon rezultate le të përshëndetet…”, kryeministri vendos veten mbi strukturën, si një arbitër i pakorruptueshëm, por edhe si një reformator. Kjo është strategji që krijon kontrast me realitetin e njohur nga publiku një administratë e lodhur, një klasë politike e konsumuar dhe një sistem që shpesh ngatërron besnikërinë partiake me kapacitetin profesional.

Kjo qasje përmban një rrezik të madh të ngatërrojë ndryshimin real me ndryshimin performativ. Pa kritere të matshme dhe pa një mekanizëm transparent të vlerësimit të ministrave e zyrtarëve, premtimi i “pastrimit” mund të kthehet në një instrument për eliminim të rivalëve të brendshëm ose për të mbuluar paaftësi më të thella sistemike.

Madje, Mickoski paralajmëroi përkrahje më të madhe për ekonominë, inovacionin, ndërmarrjet e vogla dhe zhvillimin teknologjik. Këto janë objektiva të mirëpritura, por kanë nevojë për politika koherente, jo vetëm për konferenca të pasura me fjalë. Nuk ndërtohet një epokë e re me administratë të vjetër, edhe nëse ka rotacione formale.

Përgjegjësia politike në kohë tragjedie –

Referenca ndaj tragjedisë në Koçan dhe thirrja për të mos e keqpërdorur politikisht është një mesazh me nuanca morale. Në aspektin human, është e nevojshme që pushteti të qëndrojë pranë qytetarëve në kohë të tilla. Por kur kryeministri flet për “nekrofilë politikë” dhe “brejtës të dhimbjes”, ai rrëshqet në një gjuhë që mund të de-legjitimojë vetë shqetësimet e publikut për përgjegjësinë shtetërore.

Nuk mjafton të përkujtohet dhimbja duhet të ekzistojë transparencë dhe përgjegjësi konkrete. Përndryshe, çdo retorikë, sado e fuqishme emocionalisht, mbetet një spektakël.

Kryeministri përmendi një marrëveshje strategjike me Mbretërinë e Bashkuar, të cilën e krahasoi me “Marrëveshjen e Re” të Roosevelt-it në SHBA. Premtimi për 6 miliardë euro investime tingëllon më shumë si një deklaratë bombastike sesa si plan konkret, sidomos në mungesë të detajeve publike, kushteve të marrëveshjes, mekanizmave të mbikëqyrjes dhe planeve të zbatimit. Shpresat për zhvillim janë legjitime, por populizmi i shifrave të mëdha ka një histori të gjatë në Ballkan dhe shpesh përfundon në një cikël tjetër zhgënjimesh.

Në thelb, fjalimi i kryeministrit Mickoski mund të lexohet si një tentativë për të vendosur një agjendë të re publike që kombinon reformën morale me zhvillimin ekonomik. Por pa një plan konkret të reformës qeveritare, pa mekanizma të qartë llogaridhënieje, dhe pa përfshirje të aktorëve të pavarur në procesin e matjes së performancës, ky vizion rrezikon të mbetet vetëm një deklaratë e radhës në një cikël politik të stërnjohur.

Kujtojmë që, vetëm përmes transparencës, përkushtimit ndaj së vërtetës dhe ndarjes reale të përgjegjësisë, ndryshimi që premtohet mund të shndërrohet në realitet. Përndryshe, do të jetë një tjetër mundësi e humbur për të ndërtuar një marrëdhënie të re midis shtetit dhe qytetarëve. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More