Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) po zhvillon sot mbledhjen për zgjedhjen e kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Në garë janë katër kandidatë: Adnand Xholi, Elvin Gogaj, Doloreza Musabelliu dhe Klodian Braho.
Të katër kandidatët, të cilët aspirojnë për drejtimin e prokurorisë së posaçme po shpalosin përpara anëtarëve të KLP-së platformat e tyre. Shpalosja e platformave po bëhet sipas rendit alfabetik.
Mbledhja po organizohet në prezencë të Anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe përfaqësuesve nga Prokurori i Përgjithshëm, Ministria e Drejtësisë, Projekti Eu4Justice dhe Programi OPDAT si dhe nga përfaqësues të misioneve diplomatike.
Zgjedhja e kreut të SPAK bazohet në eksperiencën në çështjet sensitive të korrupsionit dhe të krimit të organizuar; në aftësitë drejtuese, vizionin ose planin e besueshëm për organizimin e Prokurorisë, imazhin publik të karrierës së kandidatit apo kandidates etj.
Drejtuesit aktual të SPAK, Altin Dumanit i mbaron mandati trevjeçar më 16 dhjetor.
Drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme do të zgjidhet mes prokurorëve të SPAK për një mandat 3-vjeçar pa të drejtë rikandidimi.