Shkup, 28 maj – Skandali në repartin e onkologjisë në Shkup ka nxjerr në pah se gjithsej 47 pacientë nuk kanë marrë trajtimin e duhur mjekësor. Prokuroria ka zbuluar se janë bërë gabime trashanike me pacientët dhe pikërisht për këtë arsye duhet të ketë përgjegjësi. Shëndetësia është një plagë që kurrsesi s’po shërohet dhe përkundër shumë skandaleve të deritanishme, askush nuk ka bartë përgjegjësi. Dikush duhet të përgjigjet për lëshimet e bëra, është koha e fundit që mos t’i mbyllim sytë për katastrofa të tilla!, shkruan “Zhurnal.mk”.
Prokuroria konstaton shkelje të rënda
Prouroria publike ka njoftuar se gjatë hetimit, u shqyrtuan të dhënat mjekësore të të gjithë pacientëve onkologjikë që morën terapi biologjike për një periudhë pesëvjeçare – nga 1 janari 2018 deri në fund të 31 dhjetorit 2022, me këshilltarët teknikë të hetimit që nxorën në pah historitë me dyshime të caktuara në lidhje me metodën e trajtimit.
“Nga të gjitha historitë e shqyrtuara, 65 u përzgjodhën, u dërguan dhe u analizuan nga ekspertë në Slloveni dhe Serbi. Ekspertët sllovenë konfirmuan trajtim të pamjaftueshëm në 29 pacientë, dhe ekspertët serbë konfirmuan trajtim të pamjaftueshëm në 18 pacientë të tjerë. Gjetjet e tyre ishin baza për akuzat e ngritura”, tha Zyra e Prokurorit.
Prokurorët publik njoftuan se në ditët në vijim do të kontaktojnë pacientët tek të cilët raportet e ekspertëve kanë përcaktuar dështim në trajtim.
Prokuroria Themelore Publike ngriti dy aktakuza në rastin “Onkologjia” më 22 maj. E para ka të bëjë me abuzime financiare, dhe e dyta ka të bëjë me trajtimin e pacientëve.
“Drejtori i parë mjekësor, drejtori i dytë ekonomik. Ata po ndiqen penalisht për shpërdorim detyre, mashtrim dhe përvetësim në shërbim. Ata i kryen veprat penale nga viti 2018 deri në vitin 2022. Përmes veprimeve të tyre, ata përfituan përfitime të konsiderueshme pasurore për të tjerët dhe shkaktuan dëme në Buxhet. Të dy akuzohen gjithashtu për mashtrim, dhe gjatë kryerjes së detyrave të tyre zyrtare, ata e kanë mashtruar Fondin e Sigurimeve Shëndetësore që të bëjë një pagesë të paligjshme. Ata po blinin ilaçe në mënyrë jo të rregullt, pa asnjë bazë ligjore. Pastaj ata kryen procedurat e prokurimit publik, të cilat ishin të pakuptimta, sepse furnizuesit faturonin ilaçet e furnizuara më parë. Me veprime të tilla të paligjshme, ata krijuan detyrime të paligjshme për Fondin”, thonë nga prokuroria.
Ish-drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Nino Vasev, akuzohet se ka përfituar një përfitim pasuror prej 13 milionë denarësh duke përvetësuar një pjesë të ilaçeve.
Akuza e dytë ka të bëjë me trajtimin e pacientëve. Ai përfshin katër onkologë. I pandehuri i parë është ish-drejtori i Klinikës, i akuzuar për kryerjen e krimeve të rënda kundër shëndetit të njerëzve dhe trajtim neglizhent të pacientëve. Të tjerë akuzohen për trajtim neglizhent të të sëmurëve.
Ndërkohë, Vasev dhe Nuhiu, me vendim të Gjykatës Penale, janë vënë në arrest shtëpiak, për të cilin Prokuroria Themelore Publike paraqiti ankesë.
Ish ministri Filipçe, kryetar aktual i LSDM-së thotë se nuk ndjen fajësi
Kryetari i LSDM-së dhe ish-ministri i Shëndetësisë në qeverinë e Zoran Zaevit, Venko Filipce, thotë se nuk ndihet fajtor për rastin “Onkologjia”, për të cilin Prokuroria Themelore Publike në Shkup përfundoi hetimin dhe ngriti dy aktakuza në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, të cilat përfshijnë gjashtë persona, përkatësisht drejtorin mjekësor, drejtorin organizativ të Klinikës dhe katër onkologë, përfshirë një ish-drejtor, shkruan “Zhurnal.mk”.
Zyra e Prokurorit vlerëson se dëmi i shkaktuar ishte rreth 30 milionë euro.
“Nuk ndiej absolutisht asnjë faj, është mirë që ka një proces. Le të shohim se çfarë do të tregojë gjyqi, tha Filipçe, aktakuza në këtë rast është ngritur dhe do të pasojë një gjyq, i cili, thotë ai, do të nxjerrë në dritë fushatën e rreme kundër tij.
Ai shtoi se kushdo që ka shkelur ligjin duhet të mbajë përgjegjësi.
VMRO DPMNE kërkon përgjegjësi nga Filipçe
VMRO-DPMNE i bëri thirrje edhe një herë liderit të LSDM-së, Venko Filipçe, të marrë përgjegjësi politike dhe morale për skandalin në Klinikën e Onkologjisë. Partia pretendon se gjatë mandatit të tij si Ministër i Shëndetësisë, kanë ndodhur abuzimet më serioze në sistemin e kujdesit shëndetësor, ku pacientëve të sëmurë rëndë u janë dhënë tretësira fiziologjike në vend të terapisë, shkruan “Zhurnal.mk”.
“Filipçe hesht dhe duke vepruar kështu praktikisht e pranon fajin. A qëndron ai pas çështjes gjyqësore në të cilën u përvetësuan 35 milionë euro nga Buxheti?”, kërkojnë nga VMRO-DPMNE-së dhe i bëjnë thirrje Prokurorisë Publike të hetojë rolin e tij.
Askush s’merr përgjegjësi për skandalet në shendetësi
Shëndetësia është në një kolaps të vërtetë. Kjo është më shumë se e qartë. Në vitet e fundit ndodhën skandale të shumta në këtë sketor dhe çudia më e madhe është se askush nuk merr përsipër përgjegjësinë për gabimet e ndodhura. U dogj spitali në Tetovë dhe dënimet ishin minimale, edhe atë pas stërgjatjeve të procesit gjyqësor. Ngjashëm me skandale të mjekëve, ku njeriu shkon shëndosh e mirë në spital dhe del i shkatërruar. Probleme kishte edhe gjatë kovidit, edhe pas kësaj periudhe. Trajtimi nuk është në asnjë nivel. Në onkologji, janë vjedhur ilaçet e pacientëve. E imagjinoni se në çfarë derexhe ka rënë shoqëria jonë. Çfarë duhet të ndodh më shumë që korrupsionit t’i thuhet mjaft.
Filipçe dhe bashkë me drejtorët e mjekët tjerë duhet të bartin përgjegjësi dhe qartë të tregojnë e ndëshkohen për të bëmat e tyre. Falje për hakun e pacientëve nuk duhet të ketë. Gabimet në mjekësi ndodhin, por gabimet me qëllim, e sidomos vjedhja e ilaçeve duhet të ndëshkohet me rreptësinë më të madhe, shkruan “Zhurnal.mk”.