OSBE/ “Të gjitha zgjedhjet janë të rëndësishme”

nga D. V.

Shkup, 14 tetor – OSBE-ODIHR-ja ka filluar monitorimin e procesit zgjedhor disa javë më parë. Deri tani, vëzhguesit kanë vërejtur një situatë të polarizuar politike, madje edhe etnike, si dhe perceptimin e lartë që kanë qytetarët për ekzistencën e korrupsionit. Shefi i misionit vëzhgues të ODIHR-së Mateo Mekaçi thotë se në raportin e tyre do të evidentohet edhe fillimi i parakohshëm i fushatës nga disa kandidatë dhe parti politike, gjë që është ilegale. Mekaçi thotë se do të vazhdojnë të ndihmojë institucionet vendase për avancimin e demokracisë por se nuk mund të bëjnë presion për një Kod të ri zgjedhor, edhe pse atë e rekomandojnë prej kohësh.

Mekaçi, sa të rëndësishme janë këto zgjedhje që ju i monitoroni dhe çfarë keni vërejtur deri më tani?

Unë do të thosha se të gjitha zgjedhjet janë të rëndësishme. Ne e vlerësojmë mundësinë që të jemi këtu dhe të vëzhgojmë këto zgjedhje lokale. Zgjedhjet janë të rëndësishme sepse është momenti koha kur qytetarët kanë kohën e tyre për të votuar, të marrin pjesë, të jenë kandidatë dhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre, të marrin vendime që kanë një ndikim në jetën e tyre. Në këtë rast, bëhet fjalë për nivel lokal. Prandaj, për ne, të gjitha zgjedhjet janë të rëndësishme prandaj në qershorin e kaluar, ODIHR-ja nisi atë që ne e quajmë mision të adresimit të nevojave për të vendosur se çfarë monitorimi do të bëhet, andaj ne tani jemi këtu për të monitoruar zgjedhjet që vijnë, duke vëzhguar të gjithë procesin deri në ditën e zgjedhjeve dhe potencialisht edhe rrethin e dytë.

Sa vëzhgues keni në Maqedoninë e Veriut?

Për momentin në Shkup kemi një ekip prej 17 vëzhguesish ekspertë. Në të gjithë vendin kemi 24 që janë shpërndarë në 12 grupe në 11 lokacione dhe dy grupe këtu në Shkup. Gjithashtu do të shoqërohemi nga vëzhguesit afatshkurtër në ditën e zgjedhjeve. Kështu që do të jetë një mision i plotë vëzhgues nga ODIHR-ja këtë herë. Po ashtu do të na bashkohen edhe delegacione të Parlamentit Evropian, dhe gjithashtu trupi rajonal i Këshillit të Evropës do të jetë këtu.

Çfarë do të thoshit se është diçka shumë e veçantë në Maqedoni gjatë këtij procesi zgjedhor?

Vëzhguesit tanë ndjekin një format standard dhe përderisa jemi këtu, i shikojmë të gjitha aspektet e zgjedhjeve nga lista zgjedhore, regjistrimi i kandidatëve, fushata, aktivitetet e fushatës edhe në terren, edhe online, monitorimi i mediave është gjithashtu një komponent shumë i rëndësishëm i punës tonë. Ne, në fakt, kemi fokus specifik tek mediat. Kështu që i shikojmë të gjitha aspektet, si pjesëmarrja e komuniteteve etnike, që është diçka e veçantë për Maqedoninë, gjithashtu personat me aftësi të kufizuara dhe pjesëmarrjen politike. Këto janë aspektet e përgjithshme për Maqedoninë e Veriut.

Ju e përmendët fushatën. E keni fjalën për fushatën zyrtare. Por, parafushata ka filluar muaj më herët në Maqedoninë e Veriut. Kjo është disi ilegale sepse vëzhguesit dhe institucionet nuk munden realisht të ndjekin financimin, se si paratë harxhohen gjatë asaj periudhe. A e shihni këtë si problem?

Ne vëzhgojmë zgjedhjet, para fushatës, gjatë fushatës, ditën e zgjedhjeve dhe fushatën që pason. Kjo është praktika standarde që do të vazhdojmë ta ndjekim edhe në Maqedoni. Prandaj ne jemi këtu që nga 5 shtatori, që është para fillimit të fushatës zyrtare. Kështu që kemi pasur mundësinë të ndjekim edhe një pjesë të fushatës parazgjedhore. Është e vërtetë që është jolegale të bëhen aktivitete para fushatës. Ne kemi vëzhguar se disa nga kandidatët kanë bërë fushatë gjatë asaj kohe. Kjo është diçka të cilën ne do ta theksojmë në fund të procesit zgjedhor, në gjetjet tona preliminare dhe në konkluzionet që do t’i publikojmë një ditë pas zgjedhjeve.

Sa i takon financimit të fushatës, ne kemi biseduar me disa aktorë, përfshirë edhe persona nga institucionet mbikëqyrëse. Shumë njerëz mendojnë se ka disa probleme me mbikëqyrjen e financimit të fushatës, edhe në aspektin e rregullimit ligjor por edhe në aspektin e disa boshllëqeve që ekzistojnë në ligj, por gjithashtu edhe me kapacitetet e trupave mbikëqyrës. Kjo është diçka të cilën do ta reflektojmë edhe në konkluzionet preliminare.

Çfarë mendoni për retorikën që partitë politike dhe kandidatët përdorin gjatë kësaj fushate, duke pasur parasysh që ndonjëherë ka ndoshta edhe gjuhë të urrejtjes, në disa raste, gjuhë jo të matur politike dhe gjëra të tilla. Si e shikoni këtë?

Retorika e fushatës është diçka të cilën po ashtu e ndjekim gjatë procesit tonë. Shikojmë tonin, qëndrimet e bëra nga politikanët, edhe në tubime por edhe në mediat tradicionale ose online. Një komponent i monitorimit lidhet me aktivitetet në rrjetet sociale ku një pjesë e kësaj retorike është mjaftë e theksuar. Edhe këtë do ta adresojmë në monitorimin tonë të fushatës por konkluzionet për këtë do të pasqyrohen në raport. Është e vërtetë se atmosfera politike vazhdon të jetë e polarizuar në shtet, përfshirë edhe në vija etnike. Po ashtu, në shoqëri ka një perceptim të përhapur gjerë për korrupsion dhe pakënaqësi ndaj institucioneve publike. Kjo është diçka që tashmë e kemi theksuar në raportin e ndërmjetëm të cilin e kemi publikuar ca ditë më herët.

Dhe kjo nuk është diçka e re, e kemi pasur edhe në proceset e mëparshme zgjedhore…

Një rregull që ne ndjekim është që nuk i krahasojmë zgjedhjet. Çdo raport nga vëzhgimi qëndron në vete. Ne përpilojmë konkluzionet për këtë proces, por sigurisht, për qytetarët, për mediat, për politikanët, është e rëndësishme të shikohet edhe trendi në shtet. Raporti nga vëzhgimi mund të ndihmojë. Që nga themelimi i ODIHR-së, ne kemi monitoruar 22 herë në Maqedoninë e Veriut, 20 herë në zgjedhje dhe 2 herë në referendume. Ka mjaftë informacione që njerëzit të mund të krijojnë qëndrimin e tyre.

Parlamenti nuk arriti të miratojë disa nga rekomandimet e OSBE-ODIHR-së. Si mendoni se do të ndikojë moszbatimi i këtyre rekomandimeve në këtë proces zgjedhor?

Është e vërtetë se disa nga rekomandimet e ODIHR-së nuk janë miratuar akoma. Kjo është pjesë e punës tonë këtu që të shohim se si zbatohet ligji i vendit, përputhja e tij më standarded ndërkombëtare dhe normat demokratike ndërkombëtare dhe a mundësojnë ata pjesëmarrjen e qytetarëve dhe shprehjen e lirë të votës. Gjithashtu në analizë përfshijmë edhe se si mungesa e zbatimit të rekomandimeve të ODIHR-së ndikon në procesin zgjedhor. Kjo do të jetë pjesë e raportit pas zgjedhjeve.

Në raportin final?

Po. Në raportin final gjithashtu do të kemi rekomandime më të detajuara.

ODIHR-ja në mënyrë sistematike ka rekomanduar një Kod të ri zgjedhor për Maqedoninë e Veriut. Por, ne nuk shikojmë vullnet politik për ta zbatuar këtë. Vazhdimisht kemi grupe pune, rekomandime, propozime të reja, por jo një Kod të ri zgjedhor. A do të vazhdoni të këmbëngulni që Maqedonia e Veriut të ketë një Kod të ri zgjedhor?

Puna jonë është të ofrojmë ndihmën më të mirë teknike për të gjithë institucionet dhe më gjerë, për shoqërinë në Maqedoninë e Veriut që të bëjë progres në normat demokratike, veçanërisht kur bëhet fjalë për zgjedhjet. Prandaj, kjo është diçka që ODIHR-ja do të vazhdojë ta ofrojë, bashkëpunimin tonë për autoritetet që të zbatojnë rekomandimet. Pak para këtij misioni vëzhgues ODIHR-ja publikoi një shqyrtim juridik sa i takon Kodit zgjedhor, duke ofruar një numër treguesish dhe rekomandimesh për efikasitetin e tij dhe përputhjen e standarded ndërkombëtare. Kjo është diçka të cilën jam e sigurt se ODIHR-ja do të vazhdojë ta ofrojë për autoritetet por nuk është roli ynë që të ushtrojmë presion ndaj partive politike, por ne jemi këtu të kujtojmë se cilat janë angazhimet ndërkombëtare, cilat janë normat ndërkombëtare dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me këdo nga shoqëria civile, partitë politike, institucionet, që të vazhdojë të ketë progres drejt këtij synimi për të cilin vetë shteti ka rënë dakord. Kjo është shpresa jonë dhe jam i sigurt se do të vazhdojmë bashkëpunimin me Maqedoninë e Veriut në të ardhmen.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More