Nën tokën e një fshati të vogël me rreth 2.000 banorë në Norvegji, fshihet një nga asetet më premtuese të energjisë të së ardhmes në Europë. Rezervat e tokave të rralla të zbuluara në Ulefoss pritet të luajnë një rol të rëndësishëm në përpjekjet e kontinentit për të reduktuar varësinë nga importet kineze dhe për të siguruar burime të qëndrueshme për industrinë e teknologjisë së gjelbër.
Kalimi global drejt energjisë së pastër dhe automjeteve elektrike ka riformatuar tregun e lëndëve të para, duke e bërë kërkesën për elementë të rrallë më të lartë se kurrë më parë. Këto metale janë thelbësore për prodhimin e baterive, motorëve elektrikë dhe komponentëve elektronikë, ndërsa Kina vijon të mbajë kontrollin mbi pjesën më të madhe të furnizimeve botërore.
Për të thyer këtë dominim, Europa ka intensifikuar kërkimet për burime të brendshme të tokave të rralla. Rezultatet e para po japin shpresë, dhe një nga zbulimet më të rëndësishme është pikërisht në Ulefoss.
Fshati norvegjez, historikisht i njohur për nxjerrjen e hekurit që prej shekullit XVII, është kthyer sot në qendër të vëmendjes shkencore dhe industriale. Sipas vlerësimeve të para, në nëntokën e tij ndodhen rreth 9 milionë tonë mineral, sasi që mund të mbulojë deri në 30% të kërkesës europiane për toka të rralla deri në vitin 2050.
Përveç përmasës mbresëlënëse, depozita e Ulefoss ka edhe një tjetër avantazh strategjik: ndodhet vetëm 100 metra nën sipërfaqe, çka e bën më të lehtë dhe më pak të kushtueshme për t’u shfrytëzuar.
Megjithatë, pavarësisht potencialit, kompania që zotëron të drejtën e shfrytëzimit nuk parashikon të nisë nxjerrjen para vitit 2030. Arsyeja? Nevoja për të garantuar se operacionet nuk do të kenë ndikim negativ në mjedis dhe jetesën e banorëve të komunitetit lokal.
Nëse planet ecin sipas parashikimeve dhe lejet mjedisore sigurohen në kohë, Ulefoss mund të shndërrohet në një pikë kthese për të ardhmen energjetike të Europës, duke reduktuar ndjeshëm varësinë nga importet dhe duke hapur rrugën për një industri më të pavarur dhe të qëndrueshme.