Pezullimi i Ballukut, mbyllet shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese

nga D. V.

Gjykata Kushtetuese shqyrtoi sot çështjen e pezullimit të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku të vendosur nga Gjykata e Posaçme (GJKKO).

Për rreth katër orë, palët paraqitën argumentet në seancë. Përfaqësuesja e Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, Jona Qosja kërkoi shfuqizimin e masës së pezullimit ndaj ministres Balluku dhe theksoi se vendimi i GJKKO “cenon parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve”.

Qosja argumentoi se masa e pezullimit është antikushtetuese pa marrë më parë miratimin e Kuvendit. Gjithashtu Qosja tha se në Kushtetutë nuk ka asnjë parashikim për pezullimin e një ministri.

“Anëtarët e Këshillit të ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit. SPAK nuk ka zbatuar dispozitat kushtetuese, pasi autorizimi nga Kuvendi është i nevojshëm edhe për ministrin jo deputet. Mjafton të përmendim vetëm faktin se nuk ka asnjë parashikim pezullimi në kushtetutë për të treguar se pezullimi i ministrit nuk mund të kryhet. Nëse kushtetutëbërësi do të synonte të kundërtën do ta kishte shprehur atë drejtpërdrejt, sikurse ka bërë edhe për funksionarë të tjerë”, tha ajo.

Edhe përfaqësuesja e Kuvendit, Mimoza Arbi parashtroi argumentet duke theksuar se një deputet apo ministër nuk mund të pengohet të ushtrojë detyrën apo të arrestohet pa autorizimin e Kuvendit.

“Deputeti gëzon imunitet, nuk mund te pengohet të ushtrojë detyrën, nuk mund të ndalohet apo arrestohet pa pëlqimin e Kuvendit. Ndjekja penale bëhet me miratim të Kuvendit”, tha ajo.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Dritan Prençi, theksoi se nuk ka asnjë shkelje të kompetencave të pushtetit ekzekutiv. Sipas tij nuk konstatohet ekzistenca e një konflikti kompetencash.

Gjatë fjalës së tij, Prençi kërkoi që mos të pranohet ankimimi i Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, pasi masa e marrë është individuale.

“Pretendimi i shkeljes së parimit të ndarjes së pushteteve, në vlerësimin tonë ky pretendim është i pabazuar pasi masa e pezullimit ka karakter ligjor parandalues dhe është vendosur  brenda procedimit penal pa përfshirë Kryeministrin apo Këshillin e Ministrave. Nuk ka ndërhyrje në kompetencat e pushtetit ekzekutiv”, tha ai.

Përfaqësuesja e Presidencës, Erjola Shia tha në parashtrimet e saj se Gjykata Kushtetuese duhet të sqarojë nëse vendimi i Gjykatës është në përputhje me parimin e ndarjes së pushteteve.

“Institucioni i Presidentit është përfshirë për shkak të faktit se presidenti është organi që dekreton emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Ministrave.

“Kryeministri ka angazhuar Gjykatën Kushtetuese në një pyetje thelbësore parimore: A mund të çojë zbatimi i masës së pezullimit, ndaj anëtarëve të veçantë ose gjithë këshillit të ministrave në vendosjen e një mekanizmi faktik kontrolli dhe balancimi në duart e sistemit të drejtësisë? Gjykata Kushtetuese ka nevojë të arsyetojë dhe të vendosë nëse ky mekanizëm kontrolli dhe balance është në përputhje me parimin e ndarjes së pushteteve sipas përmbajtjes që i ka dhënë këtij parimi Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, tha Shia.

Pasi shqyrtimit të çështjes dhe dëgjimit të palëve, Gjykata Kushtetuese u tërhoq për vendim, dhe data dhe ora do të komunikohen sipas parashikimeve ligjore.

Ndërkohë GJKKO nuk dërgoi përfaqësues me argumentin se pjesëmarrja e tyre si palë do cenonte parimin e ndarjes së pushteteve.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More