Shkup, 23 dhjetor – Nga 1 janari patentat e shoferit me emrin e vjetër kushtetues nuk do të jenë më të vlefshme, në të kundërtën duhet të paguajnë 100 euro gjobë. Ka ngelur edhe një javë dhe deri atëherë qytetarët kanë afat edhe për të zëvendësuar patentë shoferin. Deri më tani janë lëshuar mbi 800 mijë patentë shoferë me emrin e ri kushtetues.
MPB-ja ka ftuar të gjithë qytetarët që akoma nuk e kanë zëvendësuar që të njëjtën ta bëjnë në afatin ligjor.
“Të gjitha kapacitetet e ministrisë dhe sportelet e shërbimeve administrative funksionojnë me kapacitet të plotë dhe mund t’u shërbejnë qytetarëve për të ndërruar patentë shoferët brenda periudhës së rregullt deri më 31 dhjetor të këtij viti pa vonesë.”, – deklaroi Goce Andreevski nga MPB.
Pas ndërrimit të emrit kushtetues të shtetit në përputhje me Marrëveshjen e Prespës qytetarët janë të obliguar që t’i ndërrojnë të gjitha dokumentet personale, duke përfshirë edhe patentë shoferin.