“Politico”: Problemi i BE-së nuk është Belgjika, por Trump

nga D. V.

Ndërsa udhëheqësit evropianë përgatiten të takohen nesër në Bruksel për të diskutuar financimin e Ukrainës, ata përballen me një presion të madh nga SHBA-ja.

Samiti i udhëheqësve të BE-së, do të vërë në provë nëse blloku do të qëndrojë i bashkuar apo nëse Donald Trump mund ta ndajë atë, sipas “Politico”.

Mosmarrëveshja midis qeverive evropiane për përdorimin e aseteve të ngrira ruse – për të financuar rindërtimin e Ukrainës – nxjerr në pah një përçarje të thellë mbi mënyrën se si Evropa duhet të përballet me rendin e ri botëror dhe presionin nga SHBA-ja.

“Ata duan të na dobësojnë”, tha një zyrtar i lartë i BE-së.

Këshilli Evropian këtë javë duhet të bëjë dy gjëra. Udhëheqësit kanë nevojë për rezultate të prekshme, veçanërisht në financimin e Ukrainës.

Por, qeveritë kryesore, gjithashtu kërkojnë të mbrojnë BE-në – ndërsa Shtëpia e Bardhë përpiqet të ndikojë në politika, dhe më shumë udhëheqës evropianë se kurrë – nga Viktor Orbán i Hungarisë te Andrej Babiš i Çekisë – po refuzojnë propozimet e Brukselit.

“BE-ja do të dëmtohet rëndë për vite me radhë nëse nuk arrin të arrijë një marrëveshje për financimin e Ukrainës”, tha kancelari gjerman, Friedrich Merz në një intervistë televizive gjermane.

“Zyrtarët e administratës Trump kanë nxitur qeveritë evropiane të refuzojnë planin për të përdorur asetet e ngrira ruse me vlerë 210 miliardë euro – për të financuar Ukrainën”, thanë katër zyrtarë të BE-së të përfshirë në diskutime.

Kur udhëheqësit e BE-së u takuan në Bruksel në tetor, ata nuk arritën një marrëveshje për paratë e bllokuara pasi Belgjika e kundërshtoi atë.

Dy muaj më vonë, është e qartë se problemi i BE-së nuk është realisht Belgjika, por Trump.

Komisioni Evropian dhe vendet evropiane më me ndikim kanë negociuar me njëri-tjetrin gjatë asaj periudhe, duke u përpjekur të bindin kryeministrin belg, Bart De Wever – mbështetja e të cilit është thelbësore pasi vendi i tij është shtëpia e shumicës së aseteve ruse të ngrira në Evropë.

Diskutimet janë bërë më intensive gjatë javës së kaluar, ndërsa BE-ja është përpjekur t’i japë Belgjikës garanci.

“Por, shanset për të arritur një marrëveshje u përkeqësuan në vend që të përmirësoheshin edhe gjatë ditës së djeshme”, tha zyrtari i lartë.

“Dështimi i marrëveshjes do të ishte një katastrofë për pozicionin e BE-së në botë, duke pasur parasysh mesazhin që do të dërgonte. Jo vetëm për administratën e ashpër Trump – e cila, në Strategjinë e saj të Sigurisë Kombëtare të publikuar këtë muaj, tha se do të mbështeste forcat euroskeptike – por edhe për presidentin rus Vladimir Putin, i cili vë në dyshim sovranitetin e ish-shteteve sovjetike”, thanë zyrtarët evropianë.

Sipas planit të paqes të paraqitur nga Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini, Uashingtoni kërkon të përdorë një pjesë të aseteve të ngrira të Rusisë – për të financuar përpjekjet e rindërtimit të udhëhequra nga SHBA-ja..

Lëshimi i aseteve të ngrira për Ukrainën si pjesë e një kredie dëmshpërblimi do t’i lejonte Kievit të vendoste se ku t’i drejtonte paratë.

Trump po ushtron gjithashtu presion mbi presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky – që t’i lëshojë Rusisë territore me rëndësi strategjike në Donbas – tokë që Kremlini aktualisht nuk e kontrollon.

Shtëpia e Bardhë i hodhi poshtë akuzat e Brukselit për ndërhyrje.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More