Në selinë e Partisë Demokratike u mblodh Federata e Opozitës, në një takim që në fokus kishte bashkërendimin e përgatitjeve për protestën e 11 Korrikut. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, tha se kjo protestë do të jetë nisja e një reagimi popullor që do të vazhdojë.
“Kjo protestë do jetë nisja e një reagimi popullor që duhet të vazhdojë për të detyruar këtë regjim të lirojë liderin e opozitës si të vetmin të burgosur politik në Europë. Kjo protestë do të jetë nisja e një vargu reagimesh për të detyruar Edi Ramën që të japë një zgjidhje politike për ngërçin politik ku e ka futur vendin”, tha Noka.
“Ajo që ne na bashkon është lufta kundër regjimit të Ramës. Për shumë gjëra pikëpamjet nuk janë të njëjta, por për një gjë jemi dakord që gjendja ekonomike në Shqipëri ka shumë probleme”, u shpreh Agron Duka.
Ndërsa kryerepublikani Mediu kërkoi që protesta të ketë edhe një mesazh, të një ndryshimi të nevojshëm, që tregon se ku do të shkojë Shqipëria.
“Duhet të ketë një mesazh që kjo protestë të shoqërohet me idenë e një ndryshimi të nevojshëm që ka një ide e vizion se ku do të shkojë Shqipëria”, tha Mediu.